Prapa grilave - Ilustrim

Gjykata vendos për menaxherin e lokalit të dyshuar për thyerjen e nofullës së kamarierit

 

Një muaj paraburgim i është caktuar të dyshuarit V. M. nga Prizreni, menaxher i lokalit “Stella Del Centro“, pasi i njëjti po dyshohet t`i ketë shkaktuar lëndime të rënda punëtorit të vet.

Ngjarja ka ndodhur me datë 30 nëntor rreth orës 19:00 në Prizren saktësisht në lokalin “Stella Del Centro“ ku i dyshuari V. M. kishte një mosmarrëveshje me të dëmtuarin F. N. që punonte si kamarier, përderisa të njëjtit fillimisht janë fjalosur në mes vete.

Sipas Prokurorisë i dyshuari V. M. e ka sulmuar fizikisht punëtorin e tij duke e goditur me grusht, ku nga njëra goditje që merr i dëmtuari pëson thyerje të nofullës së majtë.

Deri te mos marrëveshja ka ardhur si rezultat pasi i dyshuari V. M. menaxher i lokalit kishte dyshime në punën e të dëmtuarit F. N. që ishte duke punuar si kamerier në lokalin e lartcekur.

Gjykata ka arsyetuar caktimin e paraburgimit duke theksuar se nga data baza e të dhënave të Policisë ndaj të dyshuarit V. M. menaxher i lokalit janë të regjistruar një mori e veprave penale të natyrave të njëjta dhe vepra tjera të ndryshme, kjo e arsyeton paraburgimin ndaj tij sepse i njëjti po të qëndrojë i lirë mund të përsëritë veprën penale.