Faruk Mujka Foto: Facebook

Gjykata vendos për Faruk Mujkën, ish-nënkryetarin e Mitrovicës

Përpos ish-drejtorit të Kadastrit në Komunën e Mitrovicës, Hysen Muzliukaj, edhe ish-nënkryetari Faruk Mujka do të mbrohet në liri.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka njoftuar se gjyqtari i Procedurës Paraprake e ka refuzuar si të pabazuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për caktimin e masës së paraburgimit kundër të dy të dyshuarve, ashtu që ka vendosur, se të njëjtit do të mbrohen në liri.

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Prokuroria Speciale njoftoi të premten se dy persona janë arrestuar nën dyshimet për kryerjen e veprës penale të korrupsionit, arrestim ky i cili erdhi disa muaj pas publikimit të një hulumtimi nga Kallxo Përnime.

Mujka e Muzliukaj janë arrestuar pas një operacioni anti-korrupsion dhe bastisjes që kryen Forcat Speciale Policore.

Madje të njëjtit kryen edhe bastisje në dy lokacione pronë e dy të dyshuarve tashmë, Faruk Mujkës dhe Hysen Muzliukës. Sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale në njërin lokacion janë gjetur dhe sekuestruar 60 mijë euro.

Siç njofton Prokuroria, ekziston dyshimi i arsyeshëm se të pandehurit në cilësi të personave zyrtarë, me dashje kanë shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar me qëllim të përfitimit të dobisë së kundërligjshme pasurore për vete apo për tjetrin, kanë tejkaluar kompetencat e tyre zyrtare dhe nuk i kanë respektuar detyrat dhe përgjegjësitë e tyre që të ushtrojnë funksionin e tyre në bazë të ligjit.

Më 18 prill të vitit 2022, në emisionin “Kallxo Përnime” u transmetua hulumtimi se si komuna e Mitrovicës në kohën sa udhëhiqej nga Agim Bahtiri, vendosi që sallën e leximit të bibliotekës në Mitrovicë ta shndërrojë në kafiteri.

Biblioteka e qytetit me vendimin e bordit të drejtorëve të Komunës së Mitrovicës ishte larguar nga objekti i “Bankosit” për t’u vendosur në një qendër sportive në Mitrovicë.

Hapësira prej 139 metra katrorë e katit përdhesë e ndërtesës së “Bankosit” në sheshin e Mitrovicës ka kaluar nga prona shtetëror në pronë private.

KallxoPernime ka gjetur se ekzekutivi i komunës së Mitrovicës nëpërmjet drejtorisë së kadastrës kishte kërkuar nga Kuvendin Komunal në Mitrovicës votimin e këtij vendimi e i cili ishte votuar me vota unanime.

Në vitin 2017 ish kryetari i atëhershëm i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri ju kishte drejtuar kuvendit komunal me kërkesë për tërheqjen e disa pronave nga procesi i privatizimit dhe kthimin e tyre në pronësi të Komunës me qëllimin e vetëm që këto prona të shërbenin për interesin publik të qytetit.