Ministri Peci liron nga detyra këshilltarin politik të tij, të ndaluarin Hysen Muzliukaj
Këshilltari i ministrit të Bujqësisë, Faton Peci, Hysen Muzliukaj është liruar nga detyra e tij në ministri, pasi është ndaluar nga Prokuroria për 48 orë, nën dyshimet për korrupsion, sa ishte drejtor i Kadastrit në Komunën e Mitrovicës së Jugut.
Arrestimi dhe ndalimi Muzlukajt dhe ish-nënkryetarit të Mitrovicës së Jugut, Faruk Mujka erdhi pas hulumtimit të emisionit Kallxo Përnime “Biznesi me toka”, që tregonte se si Komuna e Mitrovicës kishte vendosur që sallën e leximit të bibliotekës në Mitrovicë ta shndërrojë në kafiteri.
Muzliukaj aktualisht ushtronte edhe postin e këshilltarit politik në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
Ndërsa Faruk Mujka aktualisht është kryeshefi i ndërmarrjes publike “Ibër Lepenci”.
Shefja e kabinetit të Ministrit Peci, Flutur Mustafa – Pllana ka konfirmuar për KALLXO.com se ministri Peci e ka liruar nga detyra këshilltarin e tij Muzliukaj.
‘’Ministri Peci, derisa drejtësia ta thotë fjalën e fundit, Z.Muzliukaj e ka liruar nga detyra”- tha ajo.,
Mujka e Muzliukaj janë arrestuar pas një operacioni anti-korrupsion dhe bastisjes që kryen Forcat Speciale Policore në dy lokacione në pronat e tyre.
Në njërin lokacion, Policia ka gjetur dhe sekuestruar 60 mijë euro.
Burime të KALLXO.com brenda Prokurorisë, kanë sqaruar se arrestimi i ish-nënkryetarit të Komunës së Mitrovicës, Faruk Mujka është bërë pas hulumtimit të emisionit Kallxo Përnime vitin e kaluar.
Më 18 prill të vitit 2022, në emisionin “Kallxo Përnime” u transmetua hulumtimi se si Komuna e Mitrovicës në kohën sa udhëhiqej nga Agim Bahtiri, vendosi që sallën e leximit të bibliotekës në Mitrovicë ta shndërrojë në kafiteri.
Biblioteka e qytetit me vendimin e bordit të drejtorëve të Komunës së Mitrovicës ishte larguar nga objekti i “Bankosit” për t’u vendosur në një qendër sportive në Mitrovicë.
Prokuroria Speciale në njoftimin e saj ka thënë se ekziston dyshimi se dy personat e ndaluar, e kanë shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar me qëllim të përfitimit të dobisë së kundërligjshme pasurore për vete apo për tjetrin.
Tutje, sipas prokurorisë ata kanë tejkaluar kompetencat e tyre zyrtare dhe nuk i kanë respektuar detyrat dhe përgjegjësitë e tyre që të ushtrojnë funksionin e tyre në bazë të ligjit.
Vepra e cila i vihet në barrë të ndaluarve është ‘’Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar”.
“Po ashtu, nën mbikëqyrjen e Prokurorisë Speciale, Policia e Kosovës, Njësia e Veçantë e Hetimeve, ka kryer bastisje në dy lokacione, pronë e dy të dyshuarve F.M dhe H.M. Gjatë bastisjes në njërin lokacion, ndër të tjera janë gjetur dhe sekuestruar shuma e të hollave prej gjashtëdhjetë mijë (60.000.00) euro.” – thuhet në njoftimin e prokurorisë.