Faruk Mujka Foto: Facebook

Mujka: S’do të lejoj të shfrytëzohem për t’u sulmuar sukseset e kryeministrit

Kryeshefi i ndërmarrjes publike “Ibër Lepenci”, njëherësh ish-nënkryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Faruk Mujka, ka reaguar pas arrestimit e pastaj edhe vendimit për t’u mbrojtur në liri për dyshimet për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Përmes një postimi në Facebook, Mujka ka thënë se asnjëherë nuk i ka ikur përgjegjësisë e drejtësisë dhe kjo do të vazhdojë edhe tani në procesin ndaj tij.

Mujka ka thënë se nuk do të lejojë që për hetimet ndaj tij të sulmohet Qeveria Kurti.

“Por gjithsesi asnjëherë nuk do të pranoj të jem pre e politikave ditore e partiake dhe që unë të shfrytëzohem për t’u sulmuar e baltosur puna dhe sukseset e Qeverisë në përgjithësi dhe posaqërisht Kryeministrit në veçanti”- ka shkruar ai.

“Rruga që kemi marrur është e gjatë, tepër e vështirë me shumë sfida u kurthe, por fatmirësisht është evidente se po shihet caku. Shumë vetë do të ndihen të turpëruar por mbi të gjitha edhe të çliruar nga puna e lodhshme e shërbyesit të djallit”- ka theksuar ai.

Përpos Mujkës, javën e kaluar Policia ka vënë në pranga edhe ish-drejtorin i Kadastrit në Komunën e Mitrovicës së Jugut, Hysen Muzliukaj.

Mujka e Muzliukaj janë arrestuar pas një operacioni anti-korrupsion dhe bastisjes që kryen forcat speciale policore.

Madje të njëjtit kryen edhe bastisje në dy lokacione – pronë e dy të dyshuarve tashmë, Faruk Mujkës dhe Hysen Muzliukajt.

Sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale në njërin lokacion janë gjetur dhe sekuestruar 60 mijë euro.

Siç njofton Prokuroria, ekziston dyshimi i arsyeshëm se të pandehurit në cilësi të personave zyrtarë, me dashje kanë shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar me qëllim të përfitimit të dobisë së kundërligjshme pasurore për vete apo për tjetrin, kanë tejkaluar kompetencat e tyre zyrtare dhe nuk i kanë respektuar detyrat dhe përgjegjësitë e tyre që të ushtrojnë funksionin e tyre në bazë të ligjit.

Më 18 prill të vitit 2022, në emisionin “Kallxo Përnime” u transmetua hulumtimi se si komuna e Mitrovicës në kohën sa udhëhiqej nga Agim Bahtiri, vendosi që sallën e leximit të bibliotekës në Mitrovicë ta shndërrojë në kafiteri.

Biblioteka e qytetit me vendimin e bordit të drejtorëve të Komunës së Mitrovicës ishte larguar nga objekti i “Bankosit” për t’u vendosur në një qendër sportive në Mitrovicë.

Hapësira prej 139 metra katrorë e katit përdhesë e ndërtesës së “Bankosit” në sheshin e Mitrovicës ka kaluar nga prona shtetëror në pronë private.

“Kallxo Përnime” ka gjetur se ekzekutivi i komunës së Mitrovicës nëpërmjet Drejtorisë së Kadastrës kishte kërkuar nga Kuvendi Komunal i Mitrovicës votimin e këtij vendimi e i cili ishte votuar me vota unanime.

Në vitin 2017, ish-kryetari i atëhershëm i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri iu kishte drejtuar Kuvendit Komunal me kërkesë për tërheqjen e disa pronave nga procesi i privatizimit dhe kthimin e tyre në pronësi të Komunës me qëllimin e vetëm që këto prona të shërbenin për interesin publik të qytetit.

Të shtunën, Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur që ish-drejtorit të Kadastrit në Komunën e Mitrovicës, Hysen Muzliukaj, edhe ish-nënkryetari Faruk Mujka do të mbrohen në liri.

 

Gjykata vendos për Faruk Mujkën, ish-nënkryetarin e Mitrovicës