Objekti ku do të vendoset Gjykata Speciale | Foto: Wikimedia

Gjykata Speciale nuk arrin të sqarojë pse njoftoi se viktimat sipas aktakuzës ishin ‘katolikë’

 

Gjykata Speciale njoftoi mbrëmë se ka konfirmuar aktakuzën për krime të luftës ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës – Kadri Veseli, deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje – Rexhep Selimi, kryetarit të Këshillit Kombëtar të Nisma-s, Jakup Krasniqi.

Në njoftimin për ngritjen e aktakuzës ndër të tjera thuhet se “Ndër viktimat përfshihen persona që dyshoheshin si kundërshtarë të UÇK-së dhe më vonë të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, konkretisht: (i) serbë, romë dhe ashkalinj; (ii) katolikë; (iii) civilë për të cilët pretendohej se bashkëpunonin me autoritetet serbe ose që pretendohej se kontaktonin me serbë; (iv) shqiptarë që ishin anëtarë ose përkrahës të Lidhjes Demokratike të Kosovës  ose të partive të tjera që konsideroheshin se ishin kundër UÇK-së; (v) shqiptarë që nuk iu bashkuan ose nuk përkrahnin UÇK-në; dhe (vi) individë të punësuar ose të punësuar të mëparshëm që konsideroheshin kundër UÇK-së”.

Thirrja në përkatësinë fetare të viktimave dhe përmendja e kësaj pike në kontekst të motivimit për kryerjen e veprave megjithatë nuk përmendet askund në aktakuzë dhe në asnjë vend në aktakuzë nuk përmendet përkatësia fetare ‘katolike’, ‘ortodokse’, ‘myslimane’ apo çfarëdo përkatësie tjetër fetare.

Këtë përcaktim që duket edhe tendencioz, nuk arrin ta sqarojë as vetë Gjykata Speciale.

Në një përgjigje për KALLXO.com, nga Zyra për Media e Gjykatës Speciale thuhet se njoftimi për media ishte “më gjeneral”.

“Aktakuza e redaktuar për publikun pretendon se të akuzuarit kanë  kryer krime kundër atyre që konsiderohen si kundërshtarë. Aktakuza përcakton “kundërshtarët” në një mënyrë të hapur si “përfshirë personat që ishin ose u perceptuan të kenë qenë: (a) bashkëpunuar ose shoqëruar me forcat e RFJ-së ose zyrtarë ose institucione shtetërore ose që (b)  nuk mbështesnin qëllimet ose mjetet e UÇK-së dhe më vonë Qeverisë së Përkohshme, përfshirë personat e lidhur me LDK-në dhe personat serbë, romë dhe etni të tjera” (theksimi i shtuar). Njoftimi për shtyp i referohet llojeve të ndryshme të viktimave të pretenduara në përgjithësi”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Media të Gjykatës Speciale.

Pra, Zyra për Media e Gjykatës Speciale pretendon se “njoftimi për shtyp i referohet llojeve të ndryshme të viktimave të pretenduara në përgjithësi”, mirëpo ky pretendim në fakt nuk qëndron sepse njoftimi për media i Gjykatës Speciale jo vetëm që tejkalon aktakuzën por edhe sajon motive apo viktima të përkatësive tjera përpos atyre që pretendohen në aktakuzë.

KALLXO.com ka ridërguar edhe njëherë pyetje në Zyrën për Media të Gjykatës Speciale lidhur me këtë çështje, mirëpo nuk ka pranuar përgjigje deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi.

Dje në mbrëmje, Gjykata Speciale njoftoi se ka konfirmuar aktakuzën ndaj 4 prej liderëve politik të vendit.

Thaçi, Veseli e Selimi u transferuan dje gjatë ditës në Hagë ndërsa Krasniqi ishte transferuar një ditë më parë.

Paraqitja e parë e të akuzuarve para Gjykatës do të jetë ditën e hënë.

Në aktakuzën e konfirmuar thuhet se së paku midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999 u kryen krimet e luftës të arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe krimet kundër njerëzimit të burgosjes, akteve të tjera çnjerëzore, torturës, vrasjes së paligjshme, zhdukjes me forcë të personave dhe përndjekjes.