Foto: DHSK
Gjykata Speciale jep detaje për arrestimin e Isni Kilajt dhe zhvillimet gjatë javës rreth proceseve gjyqësore
Michael Doyle, zëdhënës i Dhomave të Specializuara të Kosovës, në informimin javor për media të enjten foli për aspekte të ndryshme lidhur me zhvillimet dhe proceset në këtë Gjykatë.
Doyle ka theksuar se Isni Kilaj u arrestua me urdhër të Prokurorisë së Specializuar. Ky arrestim u bë i mundur me mbështetjen e Policisë së Kosovës dhe të Misionit të Bashkimit Europian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).
Arrestim siç u bë i ditur erdhi si rezultat i hetimit të ndërmarrë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe ka lidhje me akuzat për vepra penale të kryera në fushën e administrimit të drejtësisë dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.
Sipas dispozitave të Ligjit, policia në kuadër të Zyrës së Prokurorit të Specializuar është e autorizuar dhe e përgjegjshme për të ushtruar kompetencat që i janë dhënë Policisë së Kosovës sipas legjislacionit vendas.
Urdhri për arrestimin e Isni Kilajt u lëshua nga prokurorja e specializuar për vepra penale që përfshijnë pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.
Më 3 nëntor, Isni Kilaj u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara në Hagë në bazë të një urdhri të dhënë nga gjykatësi i vetëm i Dhomave të Specializuara.
Ligji parashikon që kushdo që arrestohet në bazë të urdhrit të prokurorit të specializuar, duhet të paraqitet para një gjykatësi të Dhomave të Specializuara brenda 48 orësh pas arrestimit të tij.
Rrjedhimisht, më 4 nëntor, Doyle tha se u mbajt paraqitja e parë e Isni Kilajt para gjykatësit të vetëm të Dhomave të Specializuara. Seanca ishte publike dhe gjykatësi siguroi që Kilaj ishte informuar për arsyet e arrestimit të tij, si dhe që të drejtat e tij sipas Ligjit dhe Rregullores ishin respektuar, duke përfshirë të drejtën për përfaqësim juridik.
Doyle më tej ka përmendur se më 6 nëntor, gjykatësi i vetëm vendosi për vazhdimin e paraburgimit. Vendimi u mor pasi gjykatësi konstatoi se ekziston dyshim i bazuar në faktet e paraqitura nga Prokuroria se i dyshuari Isni Kilaj kreu vepra penale në lidhje me administrimin e drejtësisë, të cilat janë brenda juridiksionit të Dhomave të Specializuara të Kosovës.
Gjithashtu, për shkak të rrezikut të arratisjes dhe rreziqeve të tjera të paraqitura, sipas Michael Doyle, gjykatësi e gjykoi të përshtatshëm vazhdimin e paraburgimit.
Në lidhje me çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët, dëshmitari i 32-të, Predrag Dediq, përfundoi dëshminë më 2 nëntor.
Më 6 nëntor, dëshmitari i 33-të, Gjergj Dedaj, filloi dhënien e dëshmisë, të cilën e përfundoi pas pyetjeve të Prokurorisë dhe pasi u mor në pyetje nga dy prej katër ekipeve të mbrojtjes dhe nga trupi gjykues.
Michael Doyle deklaroi se dëshmitari i 34-të, Dragan Ivanisheviq, filloi dhënien e dëshmisë sot.