Gjykata në Mitrovicë - Posta e Kosovës ia ka shkelur të drejtat paditësit Besim Galica

Gjykata në Mitrovicë – Dega në Vushtrri ka marrë aktgjykim me të cilin ja ka njohur pjesërisht padinë Besim Galicës, i cili kishte paditur Postën e Kosovës për mbrojte nga diskriminimi me kompensim të dëmit.

Gjykata me aktgjykim ka vërtetuar se Posta e Kosovës me filial në Vushtrri e ka diskriminuar paditësin Besim Galica, më anë të mos veprimit duke ia shkelur të drejtën për qasje fizike të përshtatshme në objektin e Postës për marrjen e shërbimeve postare.

“Vërtetohet se e paditura Posta e Kosovës… me seli në Prishtinë, e ka diskriminuar paditësin Besim Galica me anë të mos veprimit dukke ia shkelë të drejtën për qasje fizike e të përshtatshme në objektin e Postës së Kosovës, filial në Komunën e Vushtrrisë, gjegjësisht duke mos ia mundësuar qasjen fizike të përshtatshme vetanake, në këtë objekt për marrjen e shërbimeve postare…”- thuhet në aktgjykimin e gjykatës.

Gjykata ka obliguar Postën e Kosovës që në emër të dhimbjeve shpirtërore të përjetuara për shkak të diskriminimit Galicës t’ia kompensojë shumën prej 4,500 euro.

Me aktgjykim gjykata e ka obliguar të paditurën Postën e Kosovës që menjëherë të ndërmarr të gjitha veprimet për eliminimin e diskriminimit.