Gjykata Themelore në Prishtinë - Foto: KALLXO.com

Gjykata e Prishtinës shpall aktgjykim dënues për vrasje të rëndë, ndër të akuzuarit edhe një i mitur

Gjykata e Prishtinës më 13.06.2024 ka shpallur aktgjykim dënues, me ç’rast ka dënuar me më shumë se 37 vjet burgim 3 persona. Në këtë rast i akuzuar është edhe një i mitur, ndaj të cilit Gjykata ka shqiptuar masën e dërgimit në institucion edukativo-korrektues.

I akuzuari me inicialet L.S. është dënuar me 30 vjet burgim (dënim unik) për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje.

I akuzuari me inicialet A.S. është gjetur fajtor dhe është dënuar me 5 vjet burgim për lëndim të rëndë trupor, ndërsa është liruar nga vepra penale – vrasje e rëndë në bashkëkryerje.

Kurse i akuzuari tjetër me inicialet I.S. është dënuar me 2 vjet e 4 muaj burgim si dënim unik për veprat penale – sulm, dhe – armëmbajtje pa leje.

Kurse, të miturit i është shqiptuar masa e dërgimit në institucion edukativo-korrektues në kohëzgjatje prej 8 muaj për veprën penale – lëndim i rëndë trupor, dhe është liruar nga vepra penale – vrasje e rëndë në bashkëkryerje.

Gjykata nuk ka dhënë asnjë detaj se kur ka ndodhur rasti, ku apo edhe kush është ose janë viktimat.

Të akuzuarve në dënimin e shqiptuar do t’u llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim ndërsa të akuzuarit L.S, i është vazhduar masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit, por  jo më gjatë se dënimi i shqiptuar me burgim prej 30 viteve.

Me rastin e shpalljes së aktgjykimit Gjykata i ka detyruar të akuzuarit dhe të miturin që në mënyrë solidare t’i paguajnë shpenzimet e procedurës penale në emër të paushallit gjyqësor secili veç e veç shumën prej nga 500 euro si dhe në emër të kompensimit të Viktimave të Krimit, secili veç e veç të paguajnë shumën prej nga 50 euro.

Të dëmtuarit për realizimin e kërkesës pasurore juridike janë udhëzuar në kontest të rregullt juridiko- civil.