Gjykata e liron rojen e pyllit të akuzuar për marrje ryshfeti

Gjykata e Prishtinës ka liruar sot nga akuza rojën e pyllit Perica Niçiq, i akuzuar për marrje ryshfeti prej 50 eurove për mos dhënie të tiketës për bartjen e druve.

Gjykata të njëjtin e liroi me arsyetimin se nuk ka prova të mjaftueshme për të vërtetuar fajësinë e tij.

Në bazë të aktakuzës më 07 tetor 2016, rreth orës 18:40 në fshatin Dobratin të Graçanicës, si roje pylli në Drejtorinë e Pylltarisë në Lipjan, Niçiq kishte kërkuar 50 euro nga i dëmtuari Sabri Rashiti për të mos i shqiptuar fletëparaqitje për bartjen e druve pa leje.

Prokuroria thotë se i dëmtuari kishte shkuar në shtëpinë e të akuzuarit për t’i dhënë paratë, ndërsa paratë doli për t’i marrë djali i tij Gligorije Niçiq të cilat i futi në xhep.

Tutje, sipas prokurorisë një polic me rroba civile e kishte ndaluar dhe pasi e kishte kontrolluar, i kishte gjetur 50 euro nga Gligorije Niçiq i cili ishte shoqëruar në stacion policor e pastaj edhe babai i tij.

Roja e pyllit akuzohet për ryshfet, thotë se nuk ndihet fajtor