Roja e pyllit akuzohet për ryshfet, thotë se nuk ndihet fajtor

Perica Niçiq, roje pylli nga Graçanica po akuzohet për marrje ryshfeti prej 50 euro për mos dhënie të tiketës për bartjen ilegale të druve.

Në bazë të aktakuzës më 07 tetor 2016, rreth orës 18:40 në fshatin Dobratin të Graçanicës, si roje pylli në Drejtorinë e Pylltarisë në Lipjan, Niçiq kishte kërkuar 50 euro nga i dëmtuari Sabri Rashiti për të mos i shqiptuar fletëparaqitje për bartjen e druve pa leje.

Prokuroria thotë se i dëmtuari kishte shkuar në shtëpinë e të akuzuarit për t’i dhënë paratë, ndërsa paratë doli për t’i marrë djali i tij Gligorije Niçiq të cilat i futi në xhep.

Tutje, sipas prokurorisë një polic me rroba civile e kishte ndaluar dhe pasi e kishte kontrolluar, i kishte gjetur 50 euro nga Gligorije Niçiq i cili ishte shoqëruar në stacion policor e pastaj edhe babai i tij, tanimë i akuzuar.

Në fjalën e saj përfundimtare, prokurorja Merushe Lligiqi tha se i pandehuri Perica Niçiq ka kryer veprën penale marrje ryshfeti dhe kërkoi nga gjykata që t’i shqiptojë dënimin e merituar sipas KPRK-së.

Ndërkaq, Perica Niçiq theksoi se këto prova që u përmenden nuk qëndrojnë fare.

“Djalit kanë mundur t’i japin çfarëdo, nëse kanë dashur të më japin diçka është dashur që të ma japin mua. Nuk ndihem fajtor, mirëpo gjykatës i takon të vendosë”, tha ai.