Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Gjykata dënon të akuzuarin për grabitje me kallashnikov në pompa të derivateve

Bleron Mejzinolli u shpall fajtor dhe u dënua me 5 vite burgim nga Gjykata e Prishtinës, lidhur me akuzat për grabitje me armë të tipit kallashnikov në pompa të derivateve, veprime të cilat sipas aktakuzës kishin mbetur në tentativë.

Ky vendim është marrë nga Gjyqtarja e Departamentit të Krimeve të Rënda, Fatime Dermaku.

Në kohën e dënimit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në parabugrim nga data 5 nëntor të vitit të kaluar deri me date 22 qershor të këtij viti si dhe në arrest shtëpiak nga 22 qershori e deri më 17 gusht të këtij viti.

Mjezinolli e kishte pranuar fajin në seancën e kaluar të datës 21 gusht dhe kishte shprehur pendesë për veprën që akuzohet.

Për këtë arsyje gjykata e ka veçuar procedurën për të njëjtin, kurse për të bashkëakuzuarit Lorik Drenica, Zenel Amrllahu, Fatlum Shamolli dhe Argjend Ademi do të vazhdojë gjykimi pasi që nuk e kishin pranuar fajësinë.

Ndërsa Endrit e Valmir Shala, të cilët po ashtu akuzohen me të njëjtën aktakuzë, ndodhen në arrati dhe procedura ndaj tyre u veçua.

Aktakuzën për këtë rast e kishte ngritur dhe e përfaqëson prokurori Ilaz Beqiri.

Fatlum Shamolli, Bleron Mejzinolli, Endrit Shala, Argjend Ademi, Valmir Shala, Lorik Drenica dhe Zenel Amrllahu akuzohen se me marrëveshje paraprake, të maskuar dhe të armatosur kanë grabitur disa herë shuma deri në 13 mijë euro në pompa të derivateve të naftës.

Sipas dosjes së Prokurorisë të siguruar nga KALLXO.com, të akuzuarit Valmir Shala, Lorik Drenica dhe Zenel Amrllahu në orët e hershme 22 gushtit të vitit 2022, ishin futur në një pompë të derivateve në Komoran dhe nën kërcënimin e armës së tipit AK47 kishin vjedhur fillimisht mbi 10 mijë euro.

Dyshohet se më pas në koordinim me të akuzuarin Endrit Shala, i cili ishte i punësuar në atë pompë kishin vjedhur mbi 4 mijë euro të tjera.

Gjithnjë sipas aktakuzës, në korrik të vitit 2022, Valmir Shala dhe Lorik Drenica kishin vjedhur mbi 13 mijë euro nga pompa në Komoran sërish nën kërcënimin e kallashnikovit.

Ndërsa më 12 gusht të vitit 2022, në dosje thuhet se i akuzuari Lorik Drenica dhe Zenel Amrllahu, ishin futur në një pompë në Lipjan ku të maskuar dhe nën kërcënimin e armës kishin vjedhur rreth 400 euro.

Aktakuza shtjellon se edhe në shtator të vitit 2022 Valmir Shala, Lorik Drenica, Fatlum Shamolli, Bleron Mejzinolli dhe Endrit Shala kishin tentuar të grabisin pompën në Komoran me ndihmën e armës AK47 por që në këtë rast kishin ikur pasi që kishin parë patrullën e policisë.

Sipas aktakuzës, rreth të njëjtës periudhë kohore Endrit Shala, Fatlum Shumolli dhe Argjend Ademi kishin shkuar të maskuar në pompën e derivateve në Lipjan, me ç’rast Endrit Shala kishte shtënë me kallashnikov në drejtim të të dëmtuarit R.B. dhe më pas kishin vjedhur mbi 600 euro.

Këto veprime të të akuzuarve, Prokuroria i ka kualifikuar si vepra penale të grabitjes dhe grabitjes në tentativë.

Të akuzuarve Valmir Shala, Lorik Drenica, Endrit Shala dhe Fatlum Shamolli i bie në barrë edhe vepra penale e armëmbajtjes pa leje, sipas aktakuzës së Prokurorisë.

Ndërkaq i akuzuari Lorik Drenica përballet edhe me akuzat e posedimit të paautorizuar të narkotikëve të llojit marihuanë.

Çka ndodhi në seancën ndaj të akuzuarve për grabitjen e mbi 20 mijë eurove me kallashnikov në pompa të derivateve?