Seanca ndaj të akuzuarve për grabitje me kallashnikov të pompave të derivateve (17.08.2023), Foto: KALLXO.com

Çka ndodhi në seancën ndaj të akuzuarve për grabitjen e mbi 20 mijë eurove me kallashnikov në pompa të derivateve?

Lorik Drenica, Zenel Amrllahu, Fatlum Shamolli, Bleron Mejzinolli dhe Argjend Ademi, të akuzuar për grabitje nën kërcënimin e kallashnikovit në pompat e derivateve u ulën sot në bankën e të akuzuarve për t’u përballur me akuzat.

Mirëpo në sallën e gjykimit vazhdoi të vërehet mungesa e prezencës së të akuzuarve Endrit e Valmir Shalës, të cilët ndodhen në arrati.

Për të siguruar prezencën e tyre, gjyqtarja Fatime Dermaku ka bërë të ditur se ka lëshuar urdhërarrest, kurse për të njëjtit ka veçuar procedurën, duke krijuar lëndë të re.

Zenel Amrllahu, Fatlum Shumolli dhe Argjend Ademi u deklaruan të pafajshëm për të gjitha akuzat me të cilat përballen.

Ndërkaq, i akuzuari Lorik Drenica u deklarua fajtor lidhur me akuzat për posedim të paautorizuar të narkotikëve, ndërsa për akuzat e tjera që kanë të bëjnë me grabitje u deklarua i pafajshëm.

Fajësinë e pranoi edhe i akuzuari Bleron Mejzinolli lidhur me akuzat për grabitje e cila sipas aktakuzës kishte mbetur në tentativë.

“E pranoj veprën dhe shprehi pendim“ – tha i akuzuari Mejzinolli para gjykatës.

Për këtë arsye procedura u veçua edhe për Mejzinollin duke rezultuar se një rast është kthyer në tre lëndë.

Anipse prokurori Ilaz Beqiri ka ngritur akuzën ndaj të lartcekurve, ai nuk gjeti asnjë rrethanë rënduese për t’i propozuar gjykatës lidhur me Mejzinollin.

Kurse nga rrethanat lehtësuese i propozoi plot pesë të tilla, dhe atë pranimin e fajësisë, bashkëpunimin me organet e drejtësisë, pendesën e thellë si dhe premtimin se asnjëherë më nuk e përsërit veprën.

Po ashtu si rrethanë lehtësuese prokurori shtoi se Mejzinolli ka qenë i moshës së re dhe ka rënë pre e manipulimeve nga bashkëkryerësit.

“Për ata që e pranojnë fajësinë Prokuroria ofron të gjitha benefitet që i mundëson ligji” – u shpreh prokurori Beqiri.

Fatlum Shamolli, Bleron Mejzinolli, Endrit Shala, Argjend Ademi, Valmir Shala, Lorik Drenica dhe Zenel Amrllahu akuzohen se me marrëveshje paraprake, të maskuar dhe të armatosur kanë grabitur disa herë shuma deri në 13 mijë euro në pompa të derivateve të naftës.

Sipas dosjes së Prokurorisë të siguruar nga KALLXO.com, të akuzuarit Valmir Shala, Lorik Drenica dhe Zenel Amrllahu në orët e hershme 22 gushtit të vitit 2022, ishin futur në një pompë të derivateve në Komoran dhe nën kërcënimin e armës së tipit AK47 kishin vjedhur fillimisht mbi 10 mijë euro.

Dyshohet se më pas në koordinim me të akuzuarin Endrit Shala, i cili ishte i punësuar në atë pompë kishin vjedhur mbi 4 mijë euro të tjera.

Gjithnjë sipas aktakuzës, në korrik të vitit 2022, Valmir Shala dhe Lorik Drenica kishin vjedhur mbi 13 mijë euro nga pompa në Komoran sërish nën kërcënimin e kallashnikovit.

Ndërsa më 12 gusht të vitit 2022, në dosje thuhet se i akuzuari Lorik Drenica dhe Zenel Amrllahu, ishin futur në një pompë në Lipjan ku të maskuar dhe nën kërcënimin e armës kishin vjedhur rreth 400 euro.

Aktakuza shtjellon se edhe në shtator të vitit 2022 Valmir Shala, Lorik Drenica, Fatlum Shamolli, Bleron Mejzinolli dhe Endrit Shala kishin tentuar të grabisin pompën në Komoran me ndihmën e armës AK47 por që në këtë rast kishin ikur pasi që kishin parë patrullën e policisë.

Sipas aktakuzës, rreth të njëjtës periudhë kohore Endrit Shala, Fatlum Shumolli dhe Argjend Ademi kishin shkuar të maskuar në pompën e derivateve në Lipjan, me ç’rast Endrit Shala kishte shtënë me kallashnikov në drejtim të të dëmtuarit R.B. dhe më pas kishin vjedhur mbi 600 euro.

Këto veprime të të akuzuarve, Prokuroria i ka kualifikuar si vepra penale të grabitjes dhe grabitjes në tentativë.

Të akuzuarve Valmir Shala, Lorik Drenica, Endrit Shala dhe Fatlum Shamolli i bie në barrë edhe vepra penale e armëmbajtjes pa leje, sipas aktakuzës së Prokurorisë.

Ndërkaq i akuzuari Lorik Drenica përballet edhe me akuzat e posedimit të paautorizuar të narkotikëve të llojit marihuanë.