Gjetjet skandaloze të raportit të Auditorit për sigurinë në trafik, qeveria ankohet për buxhet

Zyra Kombëtare e Auditimit ka prezantuar raportin e auditimit të performancës “Siguria në trafikun rrugor”, me mbajtjen e  një tryeze diskutimi për këtë çështje.

Vlora Spanca, ndihmës-auditor i Përgjithshëm tha se siguria në trafikun rrugor mbetet njëra ndër problemet më të mëdha në Kosovë.

“Konkluzionet janë se organet përgjegjëse nuk po bëjnë sa duhet për të rritur sigurinë në trafik, mbikëqyrja e dobët, sistemi informativ i Policisë së Kosovës ishte me të dhëna të mangëta. Edhe Komuna e Prishtinës nuk ka arritur t’i identifikoje rrugët e rrezikshme. ZKA ka rekomanduar Qeverinë e Kosovës për hapa konkretë dhe plan që garanton sigurinë në trafik”, tha ajo.

Ndërkaq, Samir Zymeri, udhëheqës i Departamentit për auditimin e performancës dhe teknologji informative shtoi se siguria dhe trafiku rrugor mbetet sfidë për institucionet relevante.

“Ne kemi dhënë 24 rekomandime, prej të cilave 8 janë për Policinë e Kosovës, 10 për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit dhe 6 rekomandime janë dhënë për Komunën e Prishtinës”, tha ai.

Në anën tjetër, Besnik Osmani, Auditor i Përgjithshëm tha se është interes publik që edhe ZKA duke kryer këtë auditim të ndihmojë institucionet për ta ndryshuar gjendjen në terren.

“Ne kemi nevojë që të dakordohemi dhe të vendosim para publikut adresat e përgjegjësisë. Kemi një lloj moskoordinimi të akterëve qe të kemi një qasje të mirëorgnaizuar dhe të orientuar në rezultate. Prezantimi i këtij raporti vendos rekomandime se çka është e rëndësishme të adresohet. ZKA do të vazhdojë të ndjek këtë raport edhe më tutje”, shtoi Osmani.

Asllan Bllaca nga Komuna e Prishtinës tha se rekomandimet për këtë institucion qëndrojnë, si edhe gjetjet brend araportit.

“Politikat të cilat vijnë nga menaxhmenti i komunës kanë marr hapa konkretë për sigurinë në trafik, si zebrat, nënkalimet, ndriçimin e të tjera. Ne i kemi të gjitha rrugët e kontraktuara për mirëmbajtje verore dhe dimërore, në mënyrë që të kemi rrugë sa më të kalueshme. Ne si komunë do të bëjmë planin e implementimit të këtyre rekomandimeve”, tha Bllaca.

Foto: Kallxo.com

Ndërsa, Ramadan Mazrekaj, profesor në Fakultetin Teknik theksoi se Kosova është vonuar në auditim të sigurisë rrugore.

“Duhet të kemi udhëzime administrative, por edhe Ligji për Ndërtime ka shume mangësi. Duhet të kemi sa më shpejt edhe auditimin e sigurisë rrugore, pasi që këto terme nuk duhet të ngatërrohen me atë të sigurisë në trafik”, tha ai.

Kurse, zyrtarë të Policië se Kosovës theksuan se i kanë pranuar rekomandimet e Auditorit dhe janë zotuar për zbatimin e tyre.

E përfaqësues të Ministrisë së Infrastrukturës thanë se kanë mungesë të buxhetit për adresimin e pikave kyçe për sigurinë rrugore.

KALLXO.com ka raportuar për gjetjet e ZKA-së dhe shkeljet që jane evidentuar në institucionet për sigurinë në trafikun rrugor.

Skandal: 20 mijë kundërvajtje të paregjistruara në Sistemin Informativ të Policisë

Raporti i auditorit: Testet e marrjes së patentë shoferit u përcollën me mos funksionim të kamerave