Ilustrim

Skandal: 20 mijë kundërvajtje të paregjistruara në Sistemin Informativ të Policisë

Zyra Kombëtare e Auditimit ka bërë sot publik raportin e auditimit të performancës “Siguria në trafikun rrugor”.

Në këtë raport theksohet se organet përgjegjëse, Policia e Kosovës, e cila duhet të garantojë zbatimin e rregullave nga pjesëmarrësit në trafik dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit së bashku me komunat, të cilat duhet të sigurojnë rrugë dhe infrastrukturë të sigurt për pjesëmarrësit në trafik, nuk janë efektive dhe nuk po bëjnë sa duhet për të rritur sigurinë në trafik.

Në raport është gjetur se 20 mijë kundërvajtje nga qytetarët nuk janë regjistruar në Sistemin Informativ të Policisë së Kosovës.

Sipas raportit të ZKA-së të dhënat përkundër faktit se janë përgatitur nga njësitet dhe stacionet e Policisë së Kosovës, nuk janë futur në Sistemin Informativ.

Sipas raportit, nga këto 20 mijë kundërvajtje, 10 mijë prej tyre janë në Njësinë e Komunikacionit të Autostradës dhe 10,000 në Njësinë Rajonale të Komunikacionit Rrugor.

Më tutje, ky raport i njësisë së inspektimit evidenton se ka vonesë në regjistrimin e të dhënave në SIPK.

Kjo vonesë është si rezultat i pengesave në rrjet dhe neglizhencave në futjen e të dhënave.

 Policia e Kosovës sipas raportit ka Sistemin Informativ të Policisë së Kosovës (SIPK), i përcaktuar si e vetmja bazë e të dhënave operacionale për futjen dhe hulumtimin e informatave të ndryshme e në veçanti atyre të trafikut rrugor.

Qëllimi kryesor i këtij sistemi është që të sigurojë personelin e PK-së me të dhëna të sakta, të sigurta dhe në kohë. Çdo udhëheqës i njësisë dhe stacioneve është përgjegjës që brenda 24 orëve të sigurojë futjen e të dhënave dhe të aktiviteteve në SIPK.

Drejtoria e Komunikacionit Rrugor dhe njësitë rajonale bashkë me stacionet policore, kanë zhvilluar një bazë të dhënave paralele krahas SIPK.

Sipas raportit, të dhënat të cilat i përdor DKRr për analizimin e faktorëve dhe shkaktarëve të aksidenteve i siguron në mënyrë manuale në Excel dhe jo nga SIPK.

Në raport thuhet se krijimi dhe përdorimi i bazës paralele të të dhënave (excel) është bërë si rezultat i mungesës së një pasqyre të saktë të të dhënave dhe informatave të regjistruara në sistemin-SIPK.

Sipas ZKA-së, mungesa e një regjistri të të dhënave të unifikuara si dhe kategorizimi i rasteve në mënyrë të përgjithësuar pamundëson identifikimin e qartë të shkaktarëve dhe faktorëve të aksidenteve dhe për pasojë kontrollet nuk orientohen bazuar në shkaktarë dhe faktorë të aksidenteve.