Ilustrim

Raporti i auditorit: Testet e marrjes së patentë shoferit u përcollën me mos funksionim të kamerave

Zyra Kombëtare e Auditimit ka bërë publik raportin e auditimit të performancës “Siguria në trafikun rrugor”.

Ndër të gjeturat e këtij raporti është edhe mosfunksionmi i kamerave gjatë testit praktik dhe teorik për marrjen e patent shoferit.

Në bazë të ligjit për patentë shofer, është planifikuar që testimi i kandidatëve në pjesën teorike të provimit për patentë shofer të mbahet me shkrim dhe në formën elektronike.

Në raportin e ZKA-së thuhet se për dhënien e provimit për patentë shofer, monitorimi i provimit në pjesën teorike dhe pjesën praktike duhet të realizohet nëpërmes sistemit elektronik të kamerave.

Por në të gjeturat e këtij raporti, thuhet se gjatë testimit praktik të kandidatëve, ka raste kur ky proces përcillet me mos funksionim të kamerave.

Në raportin e ZKA-së thuhet se janë identifikuar prishje të shpeshta të kamerave dhe kamera jashtë funksionit gjatë procesit të testimit dhe vlerësimit.

“Lidhur me këtë në njësinë e Patentë Shoferit në Gjilan kemi identifikuar se nuk funksionon kamera gjatë testimit praktik të kandidatit. Po ashtu, në Njësinë e Patentë Shoferit-Mitrovicë kemi gjetur se nga të dy pyetësit/ekzaminerët e testimit praktik janë paraqitur probleme me incizimin e kamerave. Në pyetësin e parë numri i incizimeve të plota është gjashtë (6), ndërsa numri i incizimeve me defekte është tre. Edhe në pyetësin e dytë, numri i incizimeve të plota është pesë , ndërsa, incizime me defekte janë katër . Si rezultat, gjatë testimit të kandidatëve në pjesën praktike ky proces përcjellët me parregullsi në mungesë të funksionimit të kamerave dhe kjo nuk siguron transparencë për të vërtetuar nëse kandidati ka kaluar testimin praktik me meritë”, thuhet në raport.

Sipas raportit të ZKA-së, procesi i testimit në fushën e patentë shoferit vazhdon pa një mbikëqyrje dhe mund të karakterizohet me parregullsi të ndryshme, gjë e cila ndikon direkt në sigurinë në trafikun rrugor.

Sipas ZKA-së,mMungesa e testimit elektronik në pjesën teorike, prishjet e shpeshta të kamerave për monitorimin e procesit të testimit dhe vlerësimit të kandidatëve, mundësojnë keqpërdorimin duke krijuar mos transparencë.

“Kjo krijon mundësi që kandidatët e rinj të pajisen me patentë shofer, pa përmbushur kriteret/njohuritë bazike dhe të nevojshme
për të qenë pjesëmarrës në trafikun rrugor”, thuhet në raport.