Kryeministri Avdullah Hoti dhe përfaqësuesit e institucioneve shëndetësore, 21 gusht 2020, Foto: Qeveria e Kosovës

Gjendja me pandeminë, Hoti me kërkesa ndaj institucioneve shëndetësore

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti pati sot një takim pune me ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj, drejtorin e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (ISHPK), Naser Ramadani dhe drejtorin e përgjithshëm të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK), Valbon Krasniqi.

Sipas një njoftimi të qeverisë, në këtë takim u diskutua për gjendjen e përgjithshme epidemioligjike në vend, me theks të veçantë në menaxhimin dhe parandalimin e përhapjes së pandemisë COVID-19.

Tutje në njoftim thuhet se duke vlerësuar punën e stafit shëndetësor të vendit, gjatë këtyre muajve të rëndë të pandemisë COVID 19, kryeministri Hoti vuri në pah sfidën e rifillimit të vitit të ri shkollor.

Kryeministri ka kërkuar që në të gjitha institucionet shkollore të ndërmerren veprimet e nevojshme për respektimin e masave dhe protokollove të caktuara nga ekspertët e shëndetësisë.

Hoti më tej thuhet se ka kërkuar që institucionet e shëndetit publik dhe departamentet komunale të shëndetësisë t’i bëjnë përgatitjet e duhura, në mënyrë që të kryhet me kohë edhe vaksinimi i qytetarëve ndaj gripit sezonal, si një masë mbrojtëse parandaluese ndaj përhapjes së pandemisë COVID-19.

Deri më tani në Kosovë, sipas të dhënave zyrtare me COVID-19 janë infektuar 12 mijë e 168 persona, janë shëruar 8 mijë e  149 dhe kanë vdekur 448 pacientë.