Gjashtë libianë përballen me dënimin me vdekje, shkak konvertimi fetar

Gjashtë libianë po përballen me dënimin me vdekje për shkak se janë konvertuar në krishterim dhe prozelitim sipas ligjeve që përdoren gjithnjë e më shumë për ta heshtur shoqërinë civile dhe organizatat e të drejtave të njeriut, thonë aktivistët e atjeshëm.

Gratë dhe burrat – disa nga grupet etnike të pakicave të Libisë, duke përfshirë Amazigh, ose Berberët, në perëndim të vendit – u arrestuan veçmas në mars nga forcat e sigurisë.

Një shtetas amerikan u arrestua nga Agjencia e Sigurisë së Brendshme të Libisë (ISA) muajin e kaluar, por u lirua dhe mësohet se tani është larguar nga Libia.

Gjashtë libianët janë akuzuar sipas nenit 207 të kodit penal, i cili dënon çdo përpjekje për të qarkulluar pikëpamje që kanë si qëllim “ndryshimin e parimeve themelore kushtetuese, ose strukturave themelore të rendit shoqëror”, ose përmbysjen e shtetit dhe këdo që zotëron libra, fletëpalosje, vizatime, slogane “ose çdo send tjetër” që promovon kauzën e tyre.

Përmes një deklarate të bërë, ISA ka thën se arrestimet janë bërë për ta “ndaluar një veprim të organizuar të bandës që kishte si synim të kërkonte dhe t’i bënte njerëzit të largoheshin nga Islami”.

Një avokat i një prej të arrestuarve ka thënë se familjet e tyre kanë zbuluar se ata ishin arrestuar kur videot e rrëfimeve të tyre u postuan në internet nga ISA.

Një nga videot e shfaqte Seyfao Madi, një inxhinier dhe baba i një fëmije, duke rrëfyer se ai u konvertua në krishterim në vitin 2017 dhe ishte përpjekur t’i konvertonte të tjerët.

Me fytyrën e tij jo edhe aq e qartë në video, Madi dëgjohet duke thënë se “kam lindur në vitin 1977 dhe jam arrestuar nga Njësia e Sigurisë së Brendshme për konvertimin në krishterim. I jam bashkuar një grupi libianësh dhe të huajsh brenda Libisë që bënin thirrje për krishterim.

“Në vitin 2016 miku im më njoftoi me miq të tjerë, mes tyre një i krishterë nga SHBA. Ne folëm dhe diskutuam … pastaj u konvertova vitin tjetër dhe ai më pagëzoi”.

Avokati i tij, i cili kërkoi të mbetet anonim për arsye sigurie, thotë se ai hoqi dorë nga besimi i tij i krishterë nën tortura.

Sipas organizatës për të drejtat e njeriut Humanists International, legjislacioni i Libisë bazohet kryesisht rreth fesë. Një kushtetutë e përkohshme, e shkruar pas rrëzimit të ish-udhëheqësit Muammar Gaddafi në vitin 2011, u garanton jomuslimanëve lirinë për ta praktikuar besimin e tyre.

Megjithatë, vazhdimi i luftimeve politike midis qeverisë islamike të Tripolit të mbështetur ndërkombëtarisht dhe qeverisë laike të Tobruk do të thotë se kushtetuta është pezulluar.

“Ka pasur një rritje të përdorimit të nenit 207 kundër aktivistëve të shoqërisë civile dhe organizatave ndërkombëtare në Libi gjatë vitit të kaluar”, thotë Noura Eljerbi, aktiviste e të drejtave të njeriut e cila u detyrua largohet nga Libia pasi mori kërcënime me vdekje për punën e saj.

“Edhe tani vazhdoj të kërcënohem vetëm për mbrojtjen e lirisë së besimit. Shoqëria nuk pranon diskutime për lirinë e besimit”.

“Para arrestimit të atyre njerëzve, ka pasur një fushatë të ashpër kundër tyre në mediat sociale, e udhëhequr nga mbështetësit e ish-regjimit”.

Vitin e kaluar, shtatë aktivistë u arrestuan nga ISA për ateizëm të dyshuar. Dy prej tyre u lanë të lirë, por pjesa tjetër e grupit janë ende prapa grilave.

Një numër i aktivistëve libianë të të drejtave të njeriut janë vrarë ose u është dashur të largohen nga Libia. /The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala