Gjakovë, pranon fajin se goditi me veturë viktimën

Shpejtim Krasniqi u dënua me 9 muaj burgim për lëndime të rënda trupore, të shkaktuara ndaj Sami Thaçit.

Sot ishte planifikuar të mbahej shqyrtimi gjyqësor për këtë rast në Gjykatën e Gjakovës  mirëpo pas leximit të aktakuzës nga prokurori, i akuzuari Krasniqi e pranoj fajin për veprën që i ngarkohet.

Në këtë dënim, gjykatësi Gëzim Pozhegu tha se do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

Kujtojmë se i njëjti që nga janari i këtij viti fillimisht gjendej në paraburgim e pastaj nën masën e arrestit shtëpiak, e cila masë që nga dita e sotme iu ndërpre.

Në seancën e sotme, ishte i pranishëm edhe i dëmtuari Sami Thaqi, i cili duke përjashtuar ndjekjen penale ndaj të akuzuarit kërkoi kompenzimin e dëmit material dhe jo material, gjë për të cilën u udhëzua në kontest civil.

Sipas aktakuzës në fshatin Qifllak të komunës së Rahovecit, i akuzuari Shpejtim Krasniqi në momentin kur e ka parë në rrugë të dëmtuarin Sami Thaçi, kishte rritur shpejtësinë e veturës.

Aktakuza shpjegon se me pjesën e përparme të veturës, ai e kishte goditur në këmbë dhe menjëherë me veturë ishte larguar nga vendi i ngjarjes.

Ky rast kishte ndodhur në muajin janar të vitit 2019, në rrugën Dejnë-Qifllak- thuhet në aktakuzë.