Gjykata vendos për doktorin që sulmoi kolegun në Qendrën e Transfuzionit të Gjakut

Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit B. M., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale – Lëndim i rëndë trupor.

Gjyqtari i procedurës paraprake ka marrë aktvendim dhe ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit B. M. dhe të njëjtit i ka caktuar masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një (1) muaji.

Prokuroria e Prishtinës, gjatë ditës së sotme, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj doktorit të Qendrës Kombëtare të Kosovës për Transfuzionin e Gjakut, i cili u arrestua të martën për lëndim të rëndë trupor.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar se i dyshuari është doktor, ndërsa i dëmtuari është punonjës i sistemit shëndetësor.

Sipas burimeve të KALLXO.com, i dëmtuari është specializant në Klinikën e Kardiologjisë dhe ka pësuar thyerje në krah e në hundë.

Qendra e Transfuzionit të Gjakut ka refuzuar ta komentojë këtë situatë, për shkak se rasti është nën hetime.

“Për shkak se rasti në fjalë është nën hetime nga Policia e Kosovës dhe me qëllim të mos pengimit të hetimeve, QKKTGj nuk e komenton rastin deri në përfundim të hetimeve” – u përgjigj Ministria e Shëndetësisë në pyetjet e KALLXO.com.

Sipas statutit të QKKTGJ-së, drejtori i saj i raporton direkt ministrit të Shëndetësisë.