Gërvalla takohet me homologun e saj nga Shqipëria

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gëtvalla ka pritur sot në takim homologun e saj shqiptar, Igli Hasani, i cili ndodhet në vizitën e tij të parë zyrtare në Kosovë.

Gërvalla thotë se e ka falenderuar ministrin Hasani për vizitën dhe bisedën “shumë të ngrohtë dhe vëllazërore”.

“Ministrin Hasani e falenderova nga zemra për vizitën dhe bisedën shumë të ngrohtë dhe vëllazërore në Kullën e Gërvallajve, Shtëpinë Muze të Jusuf e Bardhosh Gërvallës. Mesazhi që përçon kjo vizitë në këtë vend dhe në prag të datës 17 janar, 42-vjetorit të atentatit në Gjermani, shkon shumë përtej një vizite zyrtare të një Ministri të Punëve të Jashtme në një vend fqinj”- ka shkruar Gërvalla në Facebook.

Ministrja Gërvalla thotë se, Shqipëria është partneri më i dashur dhe më i rëndësishëm i Kosovës.

“Republika e Shqipërisë është partneri më i dashur dhe më i rëndësishëm i Republikës së Kosovës. Thellimi dhe forcimi i marrëdhënieve tona të shkëlqyeshme në të gjitha fushat, është jo vetëm amaneti i të parëve tanë, por i kontribuon zhvillimit të të dy vendeve tona dhe stabilitetit dhe paqes afatgjatë të rajonit tonë”- thekson ministrja.

Zëvendëskryeministrja e dytë njoftoi se nesër nga ora 09:00 do të zhvillojë takim në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës me ministrin Hasani, ku pas takimit do të deklarohen për mediat.

Ministri Hasani gjithashtu do të pritet në takim nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në ora 10:25.