Gërvalla takohet me homologët e saj nga Islanda, Greqia e Singapori

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka zhvilluar takime me kryediplomatë nga Islanda, Greqia dhe Singapori, në margjinat e sesionit të 78-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Gërvalla thotë se në takimin me homologen e saj islandeze,Þórdís Kolbrún R. Gylfadóttir , kanë diskutuar për zhvillimet aktuale evropiane si dhe për bashkëpunimin e ndërsjellë mes Kosovës dhe Islandës.

“Gëzohem që takoj sërish kolegen time të dashur Þórdís Kolbrún R. Gylfadóttir nga Islanda, këtë herë në margjinat e #UNGA78 . Ne diskutuam zhvillimet aktuale evropiane, ndryshimet klimatike dhe bashkëpunimin e ndërsjellë midis Islandës dhe Kosobës”- ka shkruar Gërvalla në Twitter.

Ministrja Gërvalla gjithashtu është takuar me ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Giorgos Gerapetritis.

Ajo ka vlerësuar se Greqia është një akter kryesor në Ballkanin Perëndimor dhe se me homologun e saj ka diskutuar për marrëdhëniet miqësore dhe politikë.

“Greqia është një aktor kryesor në rajonin tonë me të cilin ne ndajmë një gamë të gjerë vlerash dhe qëllimesh. Në një takim të përzemërt me kolegun tim Giorgos Gerapetritis, diskutuam marrëdhëniet tona miqësore në biznes, kulturë dhe politikë. Jam mirënjohëse për partneritetin tonë” – ka shkruar Gërvalla në Twitter.

Kryediplomatja kosovare gjithashtu është takuar edhe me ministrin e Jashtëm të Singaporit, Vivian Balakrishna, më të cilin ka biseduar për thellimin e raporteve ndërmjet dy vendeve.

“Singapori është një shembull se si shtetet e vogla mund të arrijnë rezultate të shkëlqyera kundër të gjitha gjasave. Shumë mirënjohës për një takim të përzemërt dhe të detajuar me kolegun tim Vivian Balakrishnan dhe diskutimin rreth një sërë mundësish për të thelluar më tej marrëdhëniet tona në të ardhmen”- ka theksuar Gërvalla.