Protesta në Rudarë/22.12.2022. Foto: KALLXO.com

Gazetarët denoncojnë se u legjitimuan gjatë protestës në Rudarë

Ekipet e gazetarëve të cilët kanë përcjellë dje protestën në Rudarë janë legjitimuar nga persona të paautorizuar, të cilët kanë mbajtur rendin në protestë. Ekipi i KALLXO.com i cili ishte duke përcjellë këtë protestë është legjitimuar nga këta persona. Gazetarët dhe producentët kanë treguar se këta persona kanë kërkuar ID-të nga ta pa dhënë sqarime se pse po e bënin këtë punë.

Në mesin e rreth 1 mijë e 500 personave që dje ishin pjesëmarrës në protestën e mbajtur në Rudarë, ranë në sy personat e maskuar dhe të tjerët që kishin veshur jelekë të gjelbër dhe sipas asaj që u pa, po mbanin rendin në protestë.

Personat e veshur me jelekë ishin të vendosur në të gjithë rrugën ku kishte protestues.

Ekipi i KALLXO.com u detyra që të kalojë mes për mes turmës me qëllim që t’i afrohej skenës ku do të mbaheshin fjalimet.

Pranë kësaj skene e pranë shiritit me ngjyrë të kuqe e të bardhë, që ia bënte me dije qytetarëve se deri ku mund të afrohen, gjendeshin diku 10 qytetarë që mbanin të veshur jelekët e gjelbër.

Me të kaluar ekipi i KALLXO.com pranë tyre, njëri nga jelekgjelbrit furishëm kapi bexhat e ekipit duke i kontrolluar.

Arsye për një veprim të tillë nuk u dha, mirëpo vëzhgimi që ata bënin ndaj ekipit vazhdoi të ishte prezent deri në përfundim të protestës.

Protesta e djeshme ishte thirrur nga “Shtabi i krizave nga veriu i Kosovës” dhe ishte paralajmëruar si protesta më e madhe popullore që ishte mbajtur ndonjë herë.

Në protestën që nuk zgjati më shumë se një orë, qytetarët për të ardhur deri në Rudarë kishin përdorur vetura dhe autobusë, të cilat ishin parkuar skaj rrugës që të çonte te barrikadat.

Tashmë janë bërë dy javë që nga vendosja e barrikadave në veriun e Kosovës që erdhi pas arrestimit të ish-zyrtarit policor serb, Dejan Pantiq, i cili dyshohet se ka kryer vepra terroriste dhe kundër rendit kushtetues.

Ministri i Brendshëm ka thënë se Kosova i ka kapacitetet për largimin e barrikadave por kryeministri i Kosovës ka thënë se KFOR-i ka kërkuar kohë për largimin e tyre.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla në konferencën që e ka mbajtur më 22 dhjetor në Mitrovicë, tha se nëse KFOR-i nuk i largon këto barrikada, duhet ta njoftojë Qeverinë e Kosovës për pamundësinë e këtij veprimi, me qëllim që këta të fundit ta kryejnë vet këtë punë.

Personat e maskuar në protestën në Rudarë, Foto: KALLXO.com
Protesta në Rudarë, Komuna e Zveçanit, Foto: KALLXO.com