Njesia Speciale, Ilustim, FOTO: KALLXO.com

Sveçla: Nëse KFOR-i nuk i largon barrikadat, ne i kemi kapacitetet e nevojshme për ta bërë vetë

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në një konferencë për media kushtuar zhvillimeve në veri të vendit, ka thënë se barrikadat në rrugët në veri të Kosovës po organizohen nga grupe të ndryshme kriminale, të armatosura dhe po mbahen nga qytetarët, të cilët po kërcënohen nga struktura kriminale të orkestruara nga Beogradi.

Sipas ministrit, barrikadat tashmë kanë humbur arsyen mbi të cilën ata (grupet kriminale) i patën ngritur, arsye që asnjëherë nuk kanë qëndruar. “I vetmi qëllim i tyre është bllokimi i veprimeve ligjore të Republikës së Kosovës” – tha ai.

Lidhur me barrikadat, ministri i Punëve të Brendshme tha se çdo ditë po njoftohen për kërkesa të reja, të shtyra nga Serbia, për arritjen e qëllimeve të tyre politike.

Ministri theksoi se Policia e Kosovës i ka të gjitha kapacitetet për largimin e barrikadave.

“Jemi në koordinim me partnerët ndërkombëtarë dhe presim që sa më parë të veprohet nga KFOR-i. U bënë 13 ditë dhe situata vazhdon të jetë e njëjtë apo është rënduar. Ne po presim që ato (barrikadat) sa më shpejt të largohen dhe nëse kjo nuk ndodh ne i kemi kapacitetet e nevojshme për ta bërë vetë“ – shtoi ministri.

“Riktheksoj nevojën e largimit të barrikadave. Zyrtarët policorë duhet të rikthehen në realitet dhe në angazhimet e tyre sipas funksionit që kanë. Kjo duhet të ndodhë sa më parë ose të njoftohemi për pamundësinë e këtij veprimi. Pas kësaj, ne do të marrim masat e nevojshme sipas planeve operacionale që tashmë ka përgatitur Policia e Kosovës” – u shpreh ministri në një konferencë për media sot.

Që nga 10 dhjetori rrugët kryesore në veri janë bllokuar me barrikada.

Autoritetet e Kosovës besojnë se barrikadat janë ngritur nga grupe kriminale, të mbështetura nga Beogradi.

Rrugët u bllokuan pas arrestimit të ish-policit Dejan Pantiq, i dyshuar për vepra terroriste dhe cenim të rendit kushtetues të Kosovës.