Gati një muaj që nga vrasja e 22-vjeçarit në Lipjan, njëri nga dy të dyshuarit ende në arrati

Më 5 shtator bëhet një muaj që nga vrasja e një 22-vjeçari në qytetin e Lipjanit.

Për rastin të dyshuar janë dy persona, njëri prej të cilëve është arrestuar nga Policia e Kosovës më 23 gusht.

Përderisa i dyshuari i dytë, sipas Prokurorisë së Prishtinës, është ende në arrati.

Zëdhënësja e kësaj Prokurorie, Laureta Ulaj, ka thënë për KALLXO.com se janë duke vazhduar të ndërmerren masat e nevojshme që të zbardhen rrethanat e kësaj çështjeje.

“Person tjetër i dyshuar në këtë rast ndodhet në arrati. Prokuroria në koordinim me policinë janë duke vazhduar me ndërmarrjen e veprimeve hetimore, me qëllim të ndriçimit të rrethanave të kësaj çështjeje penale” – ka thënë Ulaj.

Ajo ka treguar se pas arrestimit të të dyshuarit të parë, me urdhër të prokurorit të çështjes është ushtruar kërkesë për caktim të masës së paraburgimit.

Tutje ajo ka thënë se kjo kërkesë është aprovuar nga gjykata kompetente.

E gjithë ngjarja kishte ndodhur më 5 gusht 2022, pak para mesnatës në rrugën “Lidhja e Prizrenit” në Lipjan.

Në rast të plagosur mbetën edhe dy persona të tjerë, përderisa Policia kishte njoftuar se dy të dyshuarit që kishin qëlluar me armë zjarri tre viktima, ishin larguar në drejtim të panjohur.

Vrasja e 22-vjeçarit në Lipjan, arrestohet një i dyshuar