Gastronomët paralajmërojnë kundërshtime radikale nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës ka paralajmëruar forma radikale, mos mbyllje të lokaleve dhe protesta nëse nuk plotësohen kërkesat tyre.

“Zotohemi që do të kundërshtojmë çdo vendim për mbyllje të mëtutjeshme ose shkurtim orari, në çdo formë të mundshme, përfshire edhe ato radikale, mos mbylljen e lokaleve, apo edhe protesta!” ka shkruar Shoqata në Facebook.

Sipas tyre në një mbledhje që kanë mbajtur sot njëzëri kanë rënë dakord me biznesete  ndryshme që do të kundërshtojnë çdo vendim për mbyllje të mëtutjeshme ose shkurtim orari.

“Mirëpo, keto lloj mbylljesh pa asnjë mbështetje, siç po pretendon Qeveria e RKS, janë të papranueshme për ne si shoqate, së bashku me katërdhjetë mijë punëtorët tanë e familjet e tyre! ” shkruhet në njoftim.

Kërkesat e tyre janë: subvencionimi i linjës së pagave të punëtorëve, subvencionimin e qirasë, ndarjen e granteve që stimulojnë afarizmin në gastronomi, dhe krijimin sa më të shpejtë të një pakoje që ka për qëllim mbështetjen e sektorit në pajtim me kërkesat e tyre.

Të pakënaqur me masat e reja anti-Covid, Shoqata e Gastronomeve të Kosovës të shtunën organizoi aktivitet simbolik para lokaleve të tyre, duke krijuar zhurmë me tenxhere dhe me lugë.

Të premten me vendim të Qeverisë u ndalua për dy ditët e fundjavës veprimtaria e të gjitha subjekteve afariste dhe bizneseve, qendrave tregtare e rekreative, supermarketeve, subjekteve që ofrojnë shërbimet e gastronomisë (restorantet, kafiteritë dhe të ngjashme) në tërë territorin e Republikës së Kosovës, prej të premtes në orën  20:00, deri sot në orën 05:00 të mëngjesit.