Ilustrim, Foto: Kallxo.com, Gastronomia

Prishtina ndan 50 mijë euro për studim fizibiliteti në gastronomi, dyshime për mënyrën si do menaxhohen

Komuna e Prishtinës  në mbledhjen e fundit të Kuvendit Komunal ka ndarë 50 mijë euro për shoqatën e Gastronomëve të Prishtinës me të cilat do bëhet një studim fizibiliteti për shtrirje të terasave, dhe menaxhim të zhurmës.

Për këtë subvencion pati shumë debate në Kuvendin e Komunës ku një pjesë e asamblistëve e konsideruan si të panevojshme një ndihmë të tillë. dhe kërkuan që këtë studim ta kryejë Komuna e jo persona të caktuar që mund të jenë përfitues.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, lidhur me këtë subvencion tha se kjo ndihmë është kërkuar nga përfaqësues të shoqatës për funksionalizim më të mirë.

Sipas Ahmetit, së bashku me komunën do kryhet studimi për shtirje të terrasave pasi po rrezikohet hapësira publike.

“Për herë të parë po e them se Shoqata e Gastronomëve është shumë më e organizuar pasi janë bërë bashkë për shkak të gjendjes së pandemisë. Si pjesë e ekonomisë së Prishtinës, kjo shoqatë ka krijuar mijëra vende të punës. Kësaj radhe Shoqata e Gastronomëve kanë kërkuar ndihmë për funksionalizim, por fillimisht ne kemi kërkuar që të rregullohet çështja e terasave, pasi po rrezikohet hapësira publike”, tha Ahmeti.

“Bashkë me Shoqatën e Gastronomëve jemi dakorduar që të financojmë disa studime, këto kanë të bëjnë kryesisht me rregullimin e  disa rrugëve ku ka kafiteri, rregullat për vendosjen e terasave dhe qasje të barabartë për të gjithë. Me këtë financim do mundësohet studimi për terasat në rrugën ‘Rexhep Luci’, ‘Fehmi Agani’, ‘rrugën B’, vende këto të njohura për gastronomi. Gjithashtu do bëjmë edhe studimin e zhurmës në qytet”,  shtoi tutje kryetari Ahmeti.

Leutrim Retkoceri, asamblist nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, për KALLXO.com tha se nuk beson që kjo qeverisje do mund të kryejë ndonjë studim, kurse sa i përket mënyrës si do menaxhohen mjetet, përgjegjësia, sipas tij, bie te Shpend Ahmeti.

“Nuk besojmë se kjo qeverisje me këtë performancë kaq të dobët mund të zhvillojë çfarëdo studimi. Arsyetimi është se këto mjete do te destinohen për t’u ndihmuar sektori i gastronomisë në Prishtinë. Ndërsa kriteret dhe përgjegjësia për llogaridhënie do të bie mbi Shpend Ahmetin dhe qeverisjen komunale në Prishtinë”, ka thënë Retkoceri.

Egzon Azemi, asamblist nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje,  gjatë kohës sa diskutohej kjo pikë, tha se të ndihmohet vetëm një shoqatë është hap i rrezikshëm pasi u mbesim borxh shumë tjerave.

Ai po ashtu shtoi se nuk është sqaruar mirë si do ndahen këto para.

“Ne kemi propozuar që në vend të këtij propozimi të paarsyeshëm të hiqen taksat sikur në vitin e kaluar, mirëpo subvencioni i shoqatës me 50 mijë euro është shumë i rrezikshëm si praktikë sepse u mbesim borxh shumë shoqatave tjera. Nuk është fare e sqaruar nëse këto para i marrin shoqata e gastronomëve të Prishtinës apo Kosovës, pra këto  janë degë të ndryshme”,  tha Azemi.

Azemi tutje shtoi se këto para u ndanë pasi kryetari Ahmeti ka raporte me 4-5 pronarë lokalesh.

“Nëse ka nevojë për këto studime, le t’i kryejë komuna, por të jepen këto para pasi është krijuar një jarani me 4-5 pronarë të kafiterive nuk është në rregull”, tha Azemi.

Agim Gashi, asamblist nga Lidhja Demokratike e Kosovës, tha se Komuna duhet të ndihmojë shoqatat aq sa kanë mundësi buxhetore.

“Në secilin vend ka shoqata dhe forma të ndryshme organizimesh, secila komuna duhet t’i përkrah aq sa ka mundësi buxhetore. Detyra jonë është ta vlerësojmë këtë propozim dhe ndarjen racionale të buxhetit, por edhe të arsyetohen këto propozime”, tha Gashi.

Ndërsa, Sami Borovci nga Aleanca Kosova e Re, tha se nuk kanë ditur asgjë për këtë votim deri në ditën e fundit, dhe shtoi se ka dyshime për mënyrën si do ndahen këto para.

“Ky material është sjell në ditën e votimit, nuk kemi ditur asgjë për çfarë janë të destinuara, kryetari tha se do bëhet studim me këto para por ajo që thuhet në rend të ditës është se këto para do shkojnë si ndihmë për shkak të situatës me pandeminë dhe mbylljen dy javore nga qeveria. Kam dyshime në këtë shoqatë dhe mënyrën si do destinohen këto para”, ka thënë Borovci.

Leonora Shabani Bajraktari, asambliste nga Lëvizja Vetëvendosje tha se shoqata e Gastronomëve nuk është pa para pasi të gjitha lokalet paguajnë antarësi mujore prej 20-50 euro.

Ajo kërkoi që të ndahen para aty ku është më e nevojshme.

“Asnjëherë nuk janë ndarë kaq para për fëmijë kurse, shoqata e gastronomeve të Prishtinës ka anëtarsi, ku çdo muaj të gjitha lokalet paguajnë nga 20-50 euro. Kjo shoqatë nuk është pa para, të jepen aty ku është më e nevojshme”, tha ajo.

KALLXO.com ka kërkuar detaje edhe nga Arian Vranica, përfaqësues i gastronomëve të Prishtinës, lidhur me dakordimin që kanë me komunën për këtë subvencion, por ky i fundit nuk ka dhënë ndonjë detaj deri në publikim të këtij lajmi.