Përfaqësuesi i gastronomëve: Nuk munden tregtarët të kërkojnë të mos sillet 'Coca-Cola' nga Serbia, janë politikat e brendit

Ragip Millaku nga Shoqata e Gastronomëve, po ashtu pronar i Tregu Group, dhe i marketeve “Molla” dhe disa restoranteve, ka folur në emisionin “KALLXO Përnime” për importin e pijes “Cola-Cola” nga Serbia në Kosovë.

Millaku ka deklaruar se kompania “Coca-Cola” është brend amerikan dhe vendos ai se ku e prodhon dhe importon. Sipas tij, nuk mund të ndërhyhet në politikat e tyre.

“Qytetarët shpeshherë nuk e dinë se cili është prodhimi vendor e cili ai internacional. E vlerësoj fushatën që mos me u ble produktet serbe. P.sh. “Coca-Cola” për momentin është prodhim serb, i ke me dhjetëra brende ndërkombëtare, produkte me licensë zvicerane që e ka formu fabrikën në Serbi dhe ta bjen mallin në Kosovë, e ka barkodin serb, e licenca është zvicerane, austriake, ndërkombëtare, evropiane, por prodhohet në Serbi. Ky është një problem më i thellë. Importuesi i “Coca-Colas” e bjen se ka marrëveshje drejpërdrejt. Importuesi i “Coca-Colas” ai e bjen lëndën e parë çfarë i konvenon atij, për të (importuesin) “Coca-Cola” është brend amerikan, a e prodhon ai në Serbi a në Turqi është politikë e tyre, nuk mundesh me i ndërhy” – ka thënë Millaku.

Lidhur më këtë ka reaguar Bedri Kasumi nga fabrika “Pestova” duke e pyetur se përse në kohën e taksës 100 për qind ka qenë e mundur “t’i ndërhyhet në politikat e ‘Coca- Colas”.

“E pse në kohën e taksës 100% është mund me i ndërhy?” – pyeti Kasumi.

Ragip Millaku u përgjigj duke thënë se nuk mund t’i thonë se nga cili vend i orgjinës ta sjellin.

 “E ka pasë [Coca Cola] për shitje. Nuk jemi na tregtarët që mundemi me i thanë: Sille këtë!” – u shpreh ai.

Më 21 nëntor 2018, kryeministri i asaj kohe, Ramush Haradinaj, u kishte vënë taksën 100 për qind produkteve që vijnë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, si shenjë pakënaqësie ndaj fushatës që Serbia e kishte organizuar për mospranimin e Kosovës në INTERPOL.

Mirëpo më vonë taksa 100% u vendos edhe për brendet ndërkombëtare.
Si pasojë e kësaj, pijet si “Coca-Cola” importoheshin në Kosovë nga Bullgaria.

Në anën tjetër, marketi “Plus Market” në Ferizaj nisi një luftë gjyqësore që t’i lejohet të marrë “Coca-Cola” nga vendet e tjera, dhe jo nga Serbia.

Në nëntor të vitit 2022 ka fituar betejën kundër kompanisë “Coca-Cola” për masën e sigurisë. Gjykata Komerciale ka refuzuar si të pabazuar kërkesën e kompanisë “Coca Cola” për caktim të masës së sigurisë ndaj marketit “Plus Market” me seli në Ferizaj.

Kompania “Coca-Cola” ka kërkuar nga Gjykata Komerciale që të caktohet masa e sigurisë që detyron marketin “Plus Market” që të ndërpresë veprimet me të cilat ky market refuzon që të importojë produkte të kësaj kompanie që vijnë nga Serbia.

Kompania “Coca-Cola” po ashtu ka kërkuar që të ndalohet çdo aktivitet i palës së paditur që shkel të drejtën e propozuesit të markës së regjistruar tregtare, në veçanti importimin, eksportimin, dhe vendosjen në tregun e Republikës së Kosovës së produkteve që përbëjnë shkelje të markës tregtare “Coca-Cola”.