Ilustrim, Foto: Kallxo.com, Gastronomia

Gastronomët kërkojnë lirimin e masave kundër COVID-19, paralajmërojnë protesta

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës në takimin me ushtruesen e detyrës së ministres së Shëndetësisë, Dafina Gexha, ka kërkuar lirimin e masave kundër COVID-19.

Kjo shoqatë ka  bërë të ditur se nëse deri të premten Qeveria e Kosovës nuk ndërmerr ndonjë vendim, atëherë ata do të shqyrtojnë mundësinë për të protestuar.

Sipas tyre, gjendja në sektorin e gastronomisë është shqetësuese.

“Aktualisht, gjendja e sektorit tonë është shqetësuese dhe rrjedhimisht edhe durimi i gastronomëve është shtjerrur për të operuar njëjtë. Masat pritet që do të lirohen gradualisht, mirëpo në rast se nuk do të ketë ndonjë ndryshim deri këtë të premte më dt. 22/10/2021 në Mbledhjen e Qeverisë, atëherë të Shtunën me dt. 23/10/2021 do të mblidhet Këshilli Drejtues i SHGK-së për të vendosur rreth shqyrtimit të protestës dhe pa dëgjueshmërisë së gastronomisë”, thuhet në njoftimin e Shoqatës së Gastronomisë.

Aktualisht në vend lokalet e gastronomisë lejohen të punojnë deri në ora 21:30 me kapacitet të shfrytëzimit prej 50% të hapësirës së mbyllur dhe 70% të asaj të hapur.

Njoftimi i plotë:

Përfaqësuesit e Shoqatës sapo përfunduan takimin me UD – Ministren e Shëndetësisë, znj. Dafina Gexha, për të diskutuar rreth masave Anticovid.

Kërkesa jonë dhe presioni i vazhdueshëm që jemi duke e bërë që më shumë se një muaj është lirimi i masave që janë në fuqi.

Bashkërisht u zotuam dhe marrim përgjegjësi për respektimin e këtyre masave, me ç’rast edhe po e shohim që është evidente edhe nga gjendja e rehabilituar epidemiologjike që është tani.

Aktualisht, gjendja e sektorit tonë është shqetësuese dhe rrjedhimisht edhe durimi i gastronomëve është shtjerrur për të operuar njëjtë.

Masat pritet që do të lirohen gradualisht, mirëpo në rast se nuk do të ketë ndonjë ndryshim deri këtë të premte më dt. 22/10/2021 në Mbledhjen e Qeverisë, atëherë të Shtunën me dt. 23/10/2021 do të mblidhet Këshilli Drejtues i SHGK-së për të vendosur rreth shqyrtimit të protestës dhe pa dëgjueshmërisë së gastronomisë!