Gashi flet për borxhet që u kanë marketet prodhuesve vendorë

Sonte në emisionin “Kallxo Përnime” po debatohet për problemet me të cilat përballen prodhuesit vendorë e marketet në Kosovë.

Agon Gashi, përfaqësues i rrjetit të marketeve ‘Meridian’, ka folur për borxhet që u kanë marketet prodhuesve vendorë e të huaj.

Ai ka thënë se në Kosovë është problem rrjedhja e parasë por jo vetëm me prodhuesit vendorë.

“Është fakt që rrjedhja e parasë në industrinë tonë është problem. Por kur të përmendet që vetëm prodhuesve vendorë mendoj që nuk është e drejtë. Nëse një market ka vështirësi financare e aplikon te të gjithë partnerët. Ka vështirësi në respektim të plotë por nuk ka devijime të mëdha”- ka thënë ai.

Ai ka treguar një mënyrë e cila i ndihmon prodhuesit që të evitohet problemi i borxheve.

“Çka kemi me bë ne si ‘Meridian’ që e kemi shty si produkt. Ka kompani, produkt financiar ku cilido shitës, prodhues vendor apo nga jashtë mund të bëjnë diskontimin e faturës që i bie që paguhet një kosto të vogël e cila është më e lirë sesa financimi nga bankat por paret i marrim ditën e dorëzimit të mallit”- ka thënë ai.

Ai ka shtuar se në vitet e fundit në Kosovë është përmirësuar situata në këtë aspekt.

Për borxhet që u kanë marketet ka folur edhe Bedri Kasumi nga kompania ‘Pestova’.

“Ne si prodhues po kërkojmë që të zbatohen ato kontrata që i nënshkruajmë. Qofshin me afat 45 ditë apo 60 ditë. Në shumë raste nuk zbatohen por ka një trend përmirësimi”- ka thënë pronari i kompanisë ‘Pestova’.