FOTO:Shërbimi Korrektues i Kosovës/Facebook.

Gardianët e pakënaqur me koeficientin e pagave dhe ndalesën e shtesave

Pakënaqësi me koeficientin për paga kanë shprehur edhe gardianët e Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Ata po shprehin pakënaqësitë e tyre jo vetëm për koeficientin por edhe për ndalimin e shtesave të tyre.

Kryetari i sindikatës së Shërbimit Korrektues të Kosovës, Zenun Sadikaj thotë se është në Drejtorinë Qendrore të Shërbimit Korrektues të Kosovës për të adresuar pakënaqësitë.

Sadikaj shtoi se për shkak të pakënaqësive të gardianëve të burgjeve mund të ketë edhe protesta.

“Jam në drejtorinë qendrore për me fol me bisedu se ku jemi e tek jemi. Pakënaqësitë janë qeto të gjitha, koeficienti, shtesat që na u kanë ndal neve si institucion i qeverisë, qeto janë. Sot unë jam ardh për këtë punë, jam në katin e gjashtë me drejtorin me fol. Unë ju kam thënë (gardianëve) që pa u konsultu me Ministri dhe Drejtori nuk mund të dal(në protestë) se nuk kam çka me thënë, jo veç me mbajt protestë e mos me kry punë” – tha kryetari i Sindikatës së Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Shërbimi Korrektues i Kosovës shërben si agjenci në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë.

Zyrtari korrektues në Shërbimin Korrektues të Kosovës ka koeficientin prej 5.5 që me vlerën e koeficientit prej 110 euro i bie që paga bruto e një zyrtari korrektues është 605 euro.

Mbikëqyrësi në Shërbimin Korrektues ka koeficientin 6, që i bie se nga viti 2024 do ketë pagë bruto në vlerë prej 660 euro.

Kadeti korrektues ka koeficientin 2, që i bie se paga për vitin 2024 shkon në 240 euro.

Mbikëqyrësi i lartë, sipas ligjit për Paga ka koeficientin 6.5, që i bie se në vitin 2024 kjo pozitë ka pagë në vlerë prej 715 euro.

Udhëheqësi i Pavionit ka koeficientin 7, që i bie se paga me koeficientin në vlerë prej 110 euro shkon në 770 euro.