Debati për Mitrovicën e Veriut – Foto: KALLXO.com
Gara për Mitrovicën e Veriut, kandidatët tregojnë plan-programet e tyre në “Debat Përnime”
Investime në infrastrukturën rrugore, shëndetësi e ofrim të shërbimeve publike më të mira, janë disa prej premtimeve që dhanë dy kandidatët për kryetar të Mitrovicës së Veriut në “Debat Përnime”.
Erden Atiq, kryetar aktual i Mitrovicës së Veriut po synon që të vazhdoj qeverisjen edhe në katër vitet e ardhshme si kandidat për kryetar nga Lëvizja Vetëvendosje. Ndërsa, në krye të komunës po synon të vijë edhe Betim Osmani nga Iniciativa Qytetare Mitrovica.
Atiq dhe Osmani morën pjesë në “Debat Përnime” të enjten ku shpalosën planet për mandatin e ardhshëm qeverisës.
Përveç dy kandidatëve, në garë për të parin e Mitrovicës së Veriut janë edhe shtatë kandidatë të tjerë.
Marko Jakshiq nga Gragjanska Inicijativa Sever Za Sve, Katarina Agjançiq, kandidate e pavarur, Nebojsha Miliq nga Novo Lice – Narodna Pravda, Aleksandar Arsenijeviq nga Srpska Demokratija, Milan Radojeviq nga Srpska Lista, Branko Veselinoviq nga Srpski Narodni Pokret dhe Nenad Vukmiroviq nga Za Slobodu Pravdu i Opstanak.
Premtimet e kandidatëve
Betim Osmani nga Iniciativa Qytetare Mitrovica tha se nëse zgjidhet kryetar komune do të ketë në Mitrovicë të Veriut drejtësi, barazi dhe liri.
“Ne e kemi si slogan: e para dhe i pari është Mitrovica dhe qytetari. Domethënë ne si Iniciativë Qytetare merrem me gjëra lokale jo me gjëra të mëdha sepse besojmë që gjërat e mëdha i takojnë qeverive” – tha Osmani në “Debat Përnime”.
“Ne premtojmë drejtësi, barazi dhe liri për secilin qytetar të Mitrovicës së Veriut që kjo ka mungu tani 26 vjet, edhe tani mungon kjo. Ne mendojmë se duhet të investojmë shumë më shumë në kulturë në veriun e Mitrovicës, sepse kultura ndërton ura që nuk janë të dukshme në sy, por janë të dukshme në shpirt edhe në zemër të secilit qytetar edhe për këtë kemi punu tani si Iniciativë Qytetare” – tha ai.
Premtime dha edhe kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq.
Sipas tij, programi qeverisës është i ndarë në disa shtylla.
“Prioritetet janë këto; siguria dhe integrimi, garantimi i rendit dhe qetësisë publike në bashkëpunim me institucionet e Kosovës” – tha Atiq.

“E dyta është zhvillimi ekonomik. Do të mundësojmë lehtësira për bizneset lokale dhe mbështetje për bizneset e vogla artizanale të zonës, nxitja e investimeve të reja, hapja e programeve për punësimin e të rinjve. E treta është rinia dhe arsimi, stimulimi i aktiviteteve kulturore dhe sportive për të rinj, bursat komunale për studentë të dalluar, krijimi i hapësirave publike për aktivitete rinore. Shtylla e katërt është infrastruktura dhe mjedisi, rregullimi i rrugëve dhe ndriçimi publik, menaxhimi i mbeturinave, zhvillimi i projekteve të gjelbra dhe parqeve në lagje. Shtylla e pestë është shëndetësia dhe mirëqenia sociale, përmirësimi i shërbimeve shëndetësore në qendrat ekzistuese” – deklaroi Erden Atiq në “Debat Përnime”.
Planifikimi urban në Mitrovicë të Veriut
Planifikimi urban është i rëndësishëm për qytete dhe për këtë komunat angazhohen të miratojnë dokumentet që rregullojnë çështjet urbanistike. Sipas të dhënave të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, komuna e Mitrovicës së Veriut nuk i ka të miratuar dy dokumente të rëndësishme që e rregullojnë urbanizmin në këtë qytet. Nuk e ka të miratuar Planin Zhvillimor Komunal i cili është në proces edhe nuk e ka të aprovuar Hartën Zonale Komunale që nuk ka filluar ende.
Kandidati i LVV-së ka thënë që kanë rekrutuar staf për t’i adresuar çështjet urbanistike në komunë.
“Ne, për shkak se komunën e kemi marrë në një gjendje të mjerueshme në kuptimin nuk ka pasë as zyrtar për shkak të dorëheqjeve, mirëpo nuk ka pasë edhe entitete apo agjencione dhe mekanizma të brendshëm që të gjitha komunat e rëndomta i kanë. Na u ka dashtë gjithçka prej zeros me fillu me rekrutim të stafit edhe me pas rekrutimit të stafit, krijimin e entiteteve dhe mekanizmave të brendshëm komunal që i nevojiten një ekzekutivi për me pasë një punë të normale” – tha Atiq.
“Në lagje duhet të kemi takime dhe debate që me ardhë në një përfundim mos me ndodhë ajo që ka ndodhë edhe në komuna të tjera me pas banesë 10 kate, 12 kate, një shtëpi tjetër e vogël përdhesë e të tjerë e tjerë” – tha kandidati i Vetëvendosjes, Erden Atiq.
Vizionin për urbanizmin e shpalosi edhe kandidati i Iniciativës Qytetare Mitrovica, Betim Osmani.

“Unë si ndërmarrës që jam në veriun e Kosovës, në Mitrovicën e Jugut edhe në veri, unë besoj që këto edhe planifikimi hapësinor edhe hartat zonale edhe të gjitha këto plane munden me u bë jo vetëm me stafin e komunës në këtë rast, po munden me u bë edhe në bashkëpunim edhe me kompani private që me bë një thirrje publike që preferohet nëpër shumë qytete evropiane botërore besoj edhe regjionale që e përdorin këtë” – tha ai.
“Po tash në lagjen e boshnjakëve ne e kemi veç në pjesën jugore ku është leju nga komuna e jugut të ndërtohen 11 katëshe. Besoj që me një planifikim se arkitektat edhe njerëzit që merren me këtë gjë, nuk i shikojnë vetëm katet sa, po edhe një shfrytëzim sa më të mirë të hapësirës, ku për fat të keq jo vetëm në Mitrovicën e Veriut, por në gjithë territorin e Kosovës ato mungojnë. Hapësira për qytetarë, për parkingje, për parqe për fëmijë” – tha tutje ai.
Emërimi grave në drejtori komunale
Kandidatët për kryetar të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq dhe Betim Osmani dhanë premtime edhe për emërimin e grave në drejtori komunale.
Kandidati i Vetëvendosjes premtoi mbi gjysmën e drejtorive që do të udhëhiqen nga gratë.
“Mbi 50% aktualisht janë të gjinisë femërore. Njëjtë ka me pasë edhe mandatin e ardhshëm” – deklaroi Atiq.
Ndërsa, edhe Betim Osmani premtoi që të paktën gjysma e drejtorive do të udheqen nga gratë në Mitrovicë të Veriut, nëse ai zgjidhet në krye të komunës.
“Në qoftë se unë si kryetar do të zgjidhem atëherë në qoftë se janë të zonjat gratë me kryer atë punë jo 50% po më shumë se 50% më shumë se 50%” – deklaroi Osmani nga Iniciativa Qytetare Mitrovica.
Në këtë artikull kontribuuan: Nora Osmani dhe Blinera Gashi