
Galeria Kombëtare prezanton punimet e artistit Brilant Milazimi - 'Arti në krantinë'
Galeria Kombëtare e Kosovës ka prezantuar një seri pikturash, vizatimesh e punime digjitale të krijuesit Brilant Milazimi.
Ky prezantimi i punimeve të Milazimit është bërë në kuadër të ekspozitave virtuale, “Artist në karantinë” përmes së cilave Galeria Kombëtar po prezanton krijimet e artistëve në kohë pandemie.
“’Artist në karantinë’ kësaj radhe na sjell Brilant Milazimi, i cili na prezanton një seri pikturash, vizatimesh dhe punime digjitale”, thuhet në njoftimin Galerisë, për prezantimin e veprave të Milazimit.
Punimet e prezantuara në kuadër të ekspozitës, “Artist në karantinë” të Milazimit, janë vazhdimësi e ciklit që nga viti 2017 e deri më tani, përmes së cilave cilat në mënyrë figurative e abstrakte trajtojnë tema sociale e politike në vendin tonë.
Vesa Sahatçiu, historiane e artit, në një prononcim për Kallxo.com ka pohuar se figurat në veprat e Brilantit, të cilat janë boshti i veprave të tij, shpesh përçojnë njëfarë ndjenje ankthi dhe izolimi (zakonisht figurat janë vet), por që, me buzëqeshje të sforcuar dhe të ekzagjeruar, sikur tentojnë ta maskojnë këtë ankth.
Sipas saj, figurat janë të reduktuara në formë, me ngjyra të dhezëta, lakuriq dhe zakonisht gjinden në hapësira të njohura për ne – në rrugë me qej, para një kante të bërllokut, me një thes patate anash, në fushë të futbollit, e të tjerë.
“Poashtu, figurat shpesh artikulojnë edhe njëfarë absurditeti të situatave në të cilat gjinden. Në përgjithësi, veprat e Brilantit artikulojnë përkushtimin e tij për të reflektu dhe përfaqësu atë që e rrethon dhe që të punojë me tema me të cilat përballet në përditshmërinë e tij”, ka thënë Sahatçiu.
Krijuesi Brilant Milazimi, në një prononcim për Kallxo.com ka thënë se në këtë kohë pandemie secili nga ne është izoluar duke u munduar t’i shërbejë vetes, shoqërisë dhe shtëpisë tonë të përbashkët tokës.
Sipas tij, secila shoqëri dhe individ po kalon kohë në shtëpi me familje, por pa lënë anash aktivitetin profesional dhe shërbimin shoqëror për lehtësimin dhe kalimin e kësaj gjendje.
Njëjtë, sipas Milazimit është edhe për artistët, duke i prezantuar diçka publikut në mënyrë virtuale, që, siç ka thënë ai, fatmirësisht në këtë rast gjejnë mbështetjen e Galerisë Kombëtare që mundëson prezantimin e artistëve të rinj.
“Natyra e këtyre punëve dhe karaktereve është e preokupuar nga ndalesa e lëvizjes së lirë të qytetarëve të Kosovës. Kjo tani është e binjakëzuar me gjendjen pandemie me të cilën jemi dyfish të izoluar për dallim nga bota. Teknika e këtyre punëve është vaj në pëlhurë, vizatim-vaj në letër, dhe punë digjitale”, ka thënë Milazimi.