Ekspozita e përbashkët e nxënësve nga Shqipëria e Kosova. Foto: KALLXO.com.
Festa e Pavarësisë, ekspozitë përbashkët e nxënësve nga Kosova e Shqipëria
Mbi 100 piktura të punuara nga nxënësit e shkollave nga Kosova dhe Shqipëria janë ekspozuar sot në hollin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, “Pjetër Bogdani” në Prishtinë.
Punimet janë realizuar në kuadër të shënimit për 15-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.
Fryma patriotike dhe e lirisë përshkon të 107-të punimet e ekspozuara nga nxënësit e të dyja vendeve.
Arbërie Nagavci, ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, tha se fryma e lirisë dhe atdhedashurisë përshkon punimet e nxënësve në këtë ekspozitë të përbashkët.
“Është kënaqësi që nxënësit shqiptarë kanë përkthyer me ngjyra dhe ndjesi mbi pëlhurë këtë ngjarje të madhe dhe të rëndësishme siç është 17 Shkurti, shpallja e Pavarësisë së Kosovës” – tha ministrja Nagavci.
Hasan Muça, drejtor i Drejtorisë Rajonale të Arsimit në Lezhë, tha se përmes vizatimeve të këtyre fëmijëve ndihet aroma e lirisë.
“Është bukur të unifikohen me elementet e krenarisë sonë kombëtare që nga përkrenarja e heroit tonë kombëtar Skënderbeut, shpirtin human të Nënë Terezës, e figurën e luftëtarëve të UÇK-së, siç është Adem Jashari” – tha Muça.
Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur deri më 1 mars 2023.