FSK shpëton edhe dy persona nga rrënojat pas tërmetit në Turqi

Ushtarët e Kosovës të dërguar me mision shpëtimi në Turqi kanë arritur që të nxjerrin të gjallë edhe dy persona të tjerë, të cilët kishin mbetur nën rrënoja që nga e hëna pas tërmetit shkatërrues.

Forca e Sigurisë së Kosovës ka njoftuar, se sot pas 160 orëve që nga tërmeti, kanë arritur të nxjerrin të gjallë një 50 vjeçar dhe pas 162 orëve është nxjerr edhe një vajzë 13-vjeçare, nën rrënojat e një objekti të shkatërruar.

“Pas një pune të palodhshme dhe shumë sfiduese me rrezikshmëri të lartë e me angazhim maksimal, të pathyeshëm dhe të pandalshëm djemtë e vajzat e ushtrisë së Kosovës së bashku me ekipet e ushtrisë turke, sot  pas 160 orëve që nga tërmeti, kanë arritur të nxjerrin të gjallë  një qytetarë i gjinisë mashkull rreth moshës 50 vjeçare, dhe pas 162 orëve është nxjerr edhe një vajzë 13 vjeçare, nën rrënojat e një objekti të shkatërruar” – thuhet në njoftim.

FSK thekson se edhe pse kanë kaluar shumë orë kërkimi, ekipet e kërkim-shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, janë të motivuar dhe po japin të gjithë energjinë e tyre për të shpëtuar jetët e njerëzve që janë nën rrënojat e shkaktuara nga tërmeti.

Ditë më parë, ekipi i FSK-së kishte arritur të shpëtojë nga rrënojat një fëmijë 2-vjeçar dhe nënën e tij.

Deri më tani, në mbi 30 mijë  ka arritur numri i viktimave pas tërmeteve që goditën Turqinë dhe Sirinë në fillim të javës.