Uji

Fshati i Gjilanit, pa ujë që nga e mërkura

Për gati dy ditësh fshati Zhegër e Gjilanit nuk është furnizuar me ujë nga ujësjellësi.

Një mërgimtar nga ky fshat që jeton në Suedi, Njazi Hasani, ka thënë se nuk janë furnizuar me ujë nga ujësjellësi që nga e mërkura në orën 21:30.

“Prej të mërkurës në ora 21:30 ne nuk kemi ujë, krejt fshati që e kanë ujësjellësin nuk kemi ujë në Zhegër”, tha ai për KALLXO.com.

Ai thotë se është premtuar që do të rregullohen prishjet, por kanë qenë vetëm fjalë.

“Po thonë se është prishë pompa, unë nuk po i kuptoj sepse na kanë thënë se vjen në ora 12:00, po nuk ka ardhur”, thotë Njazi Hasani.

KALLXO.com ka kontaktuar ujësjellësin në komunën e Gjilanit “Hidromorava” për t’i pyetuar rreth mungesës së ujit në Zhegër.

“Po, është një defekt në pompa. Punëtorët janë duke punuar, në fakt dje e kanë verifikuar që duhet të ndërrohen disa pajisje dhe janë duke punuar punëtorët. Po shpresojmë që brenda ditës e sanojmë problemin”, kanë thënë zyra për konsumatorë në “Hidromoravë”.