Pamje nga Bllokimi i kanalit në Bair. Foto: KALLXO.com.

Bllokimi i kanalit në Bair të Mitrovicës bën që rruga të merr pamjen e një “lumi”, ankohen banorët

 

Banorët e rrugës “Ferki Aliu” në Bair të Mitrovicës janë ankuar se kanali u bllokohet nga mbeturinat dhe më pas uji rrjedh nëpër rrugë.

Banorët e kësaj lagjeje kërkojnë që mos të hudhen mbeturina, sipas tyre nga lagjja lart gjithashtu të bëhet pastrimi i këtij kanali.

Ata thonë se dy-tre herë gjatë javës ballafaqohen me këtë problem.

KALLXO.com ishte gjatë javës aty për ta parë nga afër gjendjen.

I shqetësuar për këtë gjë shprehej banori A. P., shtëpia e tij gjendet shumë afër vendit ku ka depërtuar uji.

“Kur po del më vrullshëm po vjen po më hyn krejt brenda. Është bukur problem. Një javë rresht i kam thirr policinë, një patrullë e kanë dërgu. Edhepse vetë jam polic, por kur vjen i uniformuar, atij më shumë i shkon fjala se mua si person civil. Desh m`u mërdhinë duart t`u u mundu me qel. Lagjja lartë po gjuajnë bërllok dhe kur po vjen te ura po bllokohet. Një federr të kauçit qe s’disa ditë jena mundu me e nxjerrë, se është një pjesë e gypit të ujit përfundi, tash ajo e ka blloku, s’po mundemi me nxjerr. Zjarrfikësit së fundmi herë se ata i kanë do farë krrabash, po i lidhin e po i çojnë deri lartë atje. Por edhe ata s’po lajmërohen. Dhjetë herë i thirr, një herë vijnë”- potencoi banori.

Banorja, Magbule Sahiti ka thënë se kur bllokohet kanali, gjë që ndodhë shumë shpesh fëmijët e saj hasin telashe.

“Këta uji që u ba kështu, atje naltë gjuajnë bërllok, mobilje, krejt mshelet këtu. Mas mrami edhe fëmija po e kanë problem me shku në shkollë se s’kanë kah kalojnë. Tash është ftoftë, dimër. Kësajde krejt fëmija bëhen me ujë, tash merre me mend ti a duhet me nejt, fëmija në shkollë, krejt kamt e lakta. Qe tri ditë është gati kështu”- ka thënë Sahiti.

I mllefosur për këtë gjendje shprehet një banor tjetër, Besim Tahiri, sipas tij dora e njeriut e bën këtë.

“Kjo ka ndodhë që njerëz të pandërgjegjshëm po gjuajnë mbeturina aty naltë. Edhe tash kur po vjen në këtë urën këtu po bllokohet. Edhe kjo qysh e po e shihni edhe vetë. Ky është problem veç te qytetarët, kurgjo tjetër. Zjarrfikësit, komuna dhe policia çdo herë po vijnë. Kjo është krejt veç dorë e njeriut. Kisha preferu me qit një kamerë diku dhe me i zbulu këta njerëz, kush janë këta. Me ardhë me kqyr aty e sheh komplet atë federin e krevatit që s’po mundet me tërheq uji. Për besë kjo është katrastrofë!”- ka thënë Tahiri.

Ndërsa Bahtir Maxhuni, Drejtor i Drejtorisë për Siguri dhe Emergjente në Komunën e Mitrovicës ka thënë për KALLXO.com se komuna ka marrë masa.

“Ai është një kanal që shtratin e ka si ngushtë dhe thellësia nuk është në bazë të parametrave që duhet me kanë. Aty sa herë bllokohet që bllokohet nga hedhurinat që i bëjnë qytetarët përreth prej mbeturinave inerte, ata gjuajnë edhe mobilje dhe bllokohet dhe del jashtë shtratit. Kështu që na kemi marrë intervenime, i kemi evitu ato dhe çdo herë i evitojmë”- përfundoi Maxhuni.

Ndryshe, KALLXO.com ka kontaktuar banorin A. P. për ta pyetur se a është rregulluar gjendja dhe ai ka thënë se zjarrfikësit kanë ardhur dhe gjendja është më e përmirësuar për dallim nga e hëna.

Pamje nga Bllokimi i kanalit në Bair. Foto: KALLXO.com.
Pamje nga Bllokimi i kanalit në Bair. Foto: KALLXO.com.
Pamje nga Bllokimi i kanalit në Bair. Foto: KALLXO.com.
Pamje nga Bllokimi i kanalit në Bair. Foto: KALLXO.com.