Foto: Valon Fana, KALLXO.com/ Tiranë, 16 tetor 2023

Fotografia familjare e Samitit të Berlinit në Tiranë

Sesioni i parë i Samitit të Procesit të Berlinit që po mbahet në Tiranë, është përmbyllur me një fotografi të përbashkët të liderëve të Ballkanit Perëndimor por edhe përfaqësues të Bashkimit Europian.

Liderët e Kosovës, Shqipërisë, Bosnjës, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi, kanë realizuar fotografinë para flamujve të vendeve pjesëmarrëse me në qendër kancelarin gjerman Olaf Scholz, presidenten e Komisionit Europian Ursula von der Leyen, dhe kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, i cili ishte nikoqir i këtij samiti.

Ndërkaq, në fotografinë e përbashkët ka munguar kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, e cila është bashkëngjitur gjatë kohës sa po performonin valltarët.

Mirëpo, në Samitin e Procesit të Berlinit që ishte mbajtur më 3 nëntor të 2022-tës, Bërnabiq kishte marrë pjesë në fotografinë familjare. Bërnabiq ishte parë përkrah kryeministrit në detyrë të Malit të Zi, Dritan Abazoviq.

Fotografia familjare e liderëve nga Samiti i Berlinit/ Foto: Albin Kurti/ Facebook, 3 nëntor 2022

Pas fotos së përbashkët, sipas agjendës, do të nisë sesioni i dytë i punës, mbështetja e tranzicionit të gjelbër dhe dixhital në Ballkanin Perëndimor.

Kjo do të pasojë me përurimin e kolegjit të Europës në Tiranë, nënshkrimin e marrëveshjes rajonale për njohje reciproke të kualifikimit profesional, konferencës së përbashkët dhe do përmbyllet me ceremoninë e inaugurimit të Piramidës.

Sot në kryeqytetin shqiptar, Tiranë, po mbahet Samiti i Procesit të Berlinit, ku janë bashkuar udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.

Procesi i Berlinit është një nismë e iniciuar më 2014 nga kancelarja e atëhershme e Gjermanisë, Angela Merkel. Ky proces përqendrohet në lëvizjen e lirë të njerëzve, shërbimeve, mallrave dhe kapitalit.

Procesi përfshin të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor: Kosovën, Shqipërinë, Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjë e Hercegovinën.