Foto: Afrim Ejupi/KALLXO.com

Flota operative e Policisë së Kosovës paralajmëron bojkotimin e punës, kjo është arsyeja

Flota operative e Policisë së Kosovës, e cila përfshin serviserët e të gjitha automjeteve të Policisë, po kërkon që të klasifikohen në kategorinë e punëtorëve specialistë për profesionet që i kryejnë.

Në rast të mosrealizimit të kësaj kërkese, kjo njësi ka paralajmëruar bojkotimin e punës.

Këtë për KALLXO.com e ka bërë të ditur kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri.

Ai ka theksuar se kërkesa që klasifikimi në koeficient të bëhet drejt sipas profesionit që e ushtrojnë ka qenë edhe kërkesë e Sindikatës që nga implementimi i Ligjit të pagave.

“Ka pasur premtim që këto përmirësime të bëhen deri më 1 gusht, por nuk është realizuar”- ka thënë Zeqiri për KALLXO.com.

Ai ka shtuar se pakënaqësitë nuk janë vetëm të këtij grupi por të të gjithë të punësuarve në Policinë e Kosovës.

Sipas tij, flota operative ka njoftuar zëvendësministrin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Bardhyl Dobra, se nëse premtimi i dhënë nga ai nuk realizohet atëherë kjo njësi do ta bojkotojë punën.

Flota operative e Policisë përfshin automekanikët, autolimarët dhe elektricistët dhe kjo njësi numëron rreth 60 punonjës.