Filmi ‘Ninullë’ shfaqet nesër premierë në ‘PriFest’
15.9.2023 - 13:10
Filmi i shkurtër “Ninullë” i regjisorit Adrian Asllani shfaqet nesër, më 16.09.2023, premierë në edicionin e 15-të të Festivalit të Filmit “Prishtina International Film Festival” (PriFest), që po mbahet në Prishtinë.
Filmi do të shfaqet në ora 17:00 në Kino Armata.
Filmi rrëfen jetën e një krijuesi të pasionuar kukullash i cili jeton vetëm me djalin e tij të sëmurë.
Në film luajnë: Avni Dalipi, Lis Kamberi, Michael Kempf, Renea Kamberi, Tiara Kamberi.
Edicioni i 15-të i “PriFest”-it është hapur më 14 shtator me shfaqjen e filmit ‘Toka brenda meje”.
Dhjetëra filma nga vende të ndryshme janë planifikuar të shfaqen në kuadër të këtij festivali. Edicioni i 15-të i “PriFest”-it do të zgjas deri më 17 shtator 2023.