Fillon takimi i presidentes Osmani emisarët Escobar dhe Lajçak

Ka filluar takimi në mes të dërguarit të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak dhe të dërguarit i posaçëm i SHBA-së për Ballkan Gabriel Escobar dhe presidentes Vjosa Osmani.

Takimi do të jetë i mbyllur për media.

Ata kanë arritur dje në Prishtinë, duke zhvilluar takimin e parë me kreun e ekzekutivit, Albin Kurtin, ndërsa sot pritet t’i takojnë edhe liderët e partive opozita te për të vazhduar pastaj edhe në kryeqytetin serb, Beograd.

Pas takimit të djeshëm Lajçak përsëriti edhe njëherë kërkesat e BE-së, karshi palës kosovare.

“Ne kemi paraqitur propozime në emër të bashkësisë ndërkombëtare që përmban tre elemente: E para: shtensionimi i situatës në terren. E dyta: zgjedhje të reja të shpejta në veri, dhe së treti: rikthimi në dialog dhe procesi i normalizimit” – ka thënë Lajçak pas takimit.

Ndërsa Escobar theksoi se nuk ka parë kaq shumë unitet në komunitetin transatlantik dhe se pothuajse çdo mik i Kosovës ka bërë të njëjtat kërkesa.

“Nuk kam parë kaq shumë unitet në komunitetin transatlantik, nga SHBA, Bashkimi Evropian, NATO dhe pothuajse secili mik i Kosovës kanë bërë të njëjtat kërkesa. Shpresoj që do të dëgjohemi. Jemi në fillim të misionit tonë” – ka deklaruar Escobar.

Të dy emisarët vinë në Kosovë pas situatës së krijuar në veri të vendit.

Sipas zëdhënësit të BE-së Petar Stano, emisarët kanë ardhur në Kosovë rikonfirmuar kërkesat e Brukselit dhe Ëashigntonit, në lidhje me hapat urgjent që duhet ndërmarrë drejt qetësimit të situatës në veri të Kosovës.

“Lajçak dhe Escobar do përcjellin thirrjet evropiane dhe amerikane ndaj Serbisë dhe Kosovës për të de-përshkallëzuar menjëherë situatën dhe për të ndërmarrë hapa që ofrojnë zgjidhje të qëndrueshme. Ndërsa platforma për zgjidhje të qëndrueshme dhe për të kërkuar zgjidhje të qëndrueshme është pikërisht dialogu i lehtësuar nga BE-ja”, ka deklaruar Peter Stano.

Faktorët ndërkombëtarë kanë theksuar disa kërkesa në lidhje me shtensionimin e situatës në veri, ndër to janë edhe mbajtja urgjente e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore, sigurimin e pjesëmarrjes së serbëve në këto zgjedhje dhe fillimi i punës për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Një ndër kërkesat e SHBA-së ka qenë që kryetarët e zgjedhur të mos e ushtrojnë detyrën e kryetarëve në objekte komunale por në ndërtesa alternative.

Madje SHBA ka përjashtuar ushtrinë e Kosovës nga ushtrimi “Defender Europe 23” si pasojë e ‘mosdëgjimit’ nga Qeveria e Kosovës.

Që nga mesdita e 26 majit serbët lokalë të komunave veriore të Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit janë grumbulluar dhe kanë protestuar duke kundërshtuar  vendosjen e kryetarëve të rinj në objektet komunale.

Katër kryetarë shqiptarë u zgjodhën në krye të katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës. Betimin si kryetar komune, përveç kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, i cili u betua në objektin e komunës, tre kryetarët e tjerë nuk e bënë në objektet e komunave por në shkolla dhe zyre të bashkësisë komunale.

Në këtë situatë, intervenoi Policia e Kosovës përmes njësiteve speciale. Ata u përplasen me protestues, ndërsa u përdor edhe gazi lotsjellës për t’i larguar turmat nga hyrjet e ndërtesave së komunave.

Tashmë në këto komuna të Kosovës ruajtjen e rendit po e bëjnë edhe trupat paqeruajtëse të NATO-s, KFOR-i.

Mirëpo, javën e kaluar ka pasur edhe përleshje mes protestuesve dhe trupave të KFOR-it, dhe dhjetëra ushtarë të KFOR-it kanë mbetur të lënduar.

SHBA-ja dhe BE-ja vazhdimisht kanë kërkuar shtendosje të situatës në veri të Kosovës.