Oborri i shkollës “Gjin Gazulli” në Prishtinë | Foto: KALLXO.com

Fillimi i vitit shkollor afër, renovimi i shkollës “Gjin Gazulli” shumë larg

Tjegulla të copëtuara, dërrasa e mbeturina e kanë mbushur oborrin e shkollës së mesme “Gjin Gazulli” në Prishtinë.

Ato janë hedhur pasi ka qenë e nevojshme të renovohet një pjesë e kësaj shkolle, kulmi dhe kati i saj i parë.

Oborri i shkollës “Gjin Gazulli” në Prishtinë | Foto: KALLXO.com

Në anën tjetër, mësimi pritet të nisë pas disa ditësh dhe një pjesë të klasave të njëmbëdhjeta dhe klasave të dymbëdhjeta nuk do t’i gjejë në bankat e kësaj shkolle.

Kjo për shkak të këtyre renovimeve, të cilat nuk pritet të përfundojnë deri më 20 shtator, sipas drejtorit të kësaj shkolle, Bujar Gjocaj.

“Kompania ka fillu me kulmin, domethënë kulmi veç është thuaja 70% i përfunduar, pak punë ka në kulm, edhe janë zotuar kompania që para shtatorit kulmi do të jetë i përfunduar edhe kemi këtë kat edhe disa pjesë të laboratorëve domethënë që është në proces puna”, është shprehur Gjocaj për KALLXO.com.

Deri më tani, janë gërryer muret e korridoreve dhe disa klasave, janë nivelizuar dyshemet e këtyre klasave.

Punimet në objektin e shkollës “Gjin Gazulli” në Prishtinë | Foto: KALLXO.com
Punimet në objektin e shkollës “Gjin Gazulli” në Prishtinë | Foto: KALLXO.com

Kontrata ndaj kompanisë që është duke i kryer punimet është nënshkruar më 27 korrik, me kohëzgjatje për 8 muaj dhe vlerë rreth 309 mijë euro, ndërsa punimet kanë filluar më 2 gusht.

Se pse nuk kanë filluar më herët këto punime, Gjocaj ka thënë se nuk ka qenë e mundur pasi bartja e mjeteve nga Drejtoria e Arsimit kushtuar renovimeve ishte vonuar.

“Nuk ka qenë e mundur mu nënshkru kontrata për shkak të mjeteve, se mjetet do të thotë besoj që jeni në dijeni që ka pasur njëfarë problemi pak në mes qeverisë edhe komunave për bartjen e mjeteve” – ka thënë drejtori i shkollës.

Kurse, drejtoresha e Arsimit në Prishtinë, Besianë Musmurati në një bisedë për KALLXO.com, ka thënë se punimet kanë nisur pas pak ditësh kur ka përfunduar viti i kaluar shkollor.

“Punimet kanë nis tamam në ditën që u kry mësimi, po veç mësimi është shty shumë edhe na fillum domethënë gati një muaj më vonë se sa që kishim fillu zakonisht, për shkak të grevës që u vazhdu, edhe domethënë kjo ke problemi, se kontrata u nënshkru para qershorit” – është përgjigjur Musmurati për KALLXO.com.

Sipas Musmuratit, asnjë renovim serioz i një shkolle nuk mund të bëhet për dy muaj, ani pse është duke u punuar intensivisht nga kompania që të përfundojë renovimet para përfundimit të muajit shtator.

Mirëpo, këto nuk janë renovimet e para për këtë shkollë, pasi edhe më parë kishte pasur të tilla.

Këto renovime ishin bërë në vitin 2020, në dy katet e epërme me një shumë prej 100 mijë euro.

Kjo shkollë numëron 7 drejtime studimi dhe rreth 820 nxënës.