'Ferizaj po shndërrohet në deponi mbeturinash' - LDK e LVV akuzojnë Komunën për paaftësi në menaxhim

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje në Ferizaj kanë mbajtur konferenca për media ku folën për grevën e punëtorëve të Kompanisë Rajonale të Mbeturinave “Pastërtia”.

Asamblistja e LDK-së në Ferizaj, Verona Isaki tha se kjo kompani po keqmenaxhohet e pasojat po i bartin qytetarët.

“Qyteti po kundërmon nga mbeturinat. Nga viti në vit kjo kompani ka pas bilanc negativ. Borxhet janë rrit në vazhdimësi, nga 835 mijë euro sa kanë pas borxhe ndaj operatorëve ekonomik në vitin 2021 ky obligim është rrit në 1 milion e 190 mijë euro në vitin 2022. Edhe pse me borxhe, zyrtarët e kësaj kompanie patën “luksin” të rritin numrin e punëtorëve duke e stërngarkuar kompaninë me punëtorë të afërt me partitë politike në pushtetin lokal”, deklaroi Isaki në konferencë.

Ajo shtoi se për shkak të grevës, qyteti po shndërrohet në deponi mbeturinash.

“Paaftësia e komunës e ka shndërruar qytetin në deponi mbeturinash. Ferizaj tash e sa ditë po kundërmon erë bërlloku. Ironia është se pushteti në Ferizaj, grevën po e quan të paligjshme dhe të motivuar politikisht, madje kompaninë po e paralajmëron me shkëputje të marrëveshjes dhe hapje të garës për kompani të tjera publike e private. Këto akuza po ia bën kompanisë ku është vet aksionare me jo më pak se 76.7% të aksioneve”, shtoi Isaki.

LDK thotë se nuk po kërkohet llogari nga aksionarët e kompanisë por se po kërcënohen dhe shantazhohen klasa punëtore.

Nga kjo parti thonë se qytetarët po e vuajnë paaftësinë e pushtetit lokal për të siguruar funksionimin e mirëfilltë të kompanisë.

“Komuna e Ferizajt po e rrezikon shëndetin e qytetarëve tanë. Pamjet e qytetit janë imazh i qeverisjes në Ferizaj” shtoi asamblistja tjetër Jehona Mustafa-Krasniqi.

Në anën tjetër, asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje Brahim Osmani në konferencën e kësaj partie thotë se gjendja me mbeturina është alarmante dhe se pushteti lokal është treguar i pamatur dhe i papërgjegjshëm ndaj situatës.

“Ferizaj është bërë si të jetë deponi, ndërkaq udhëheqësit komunal po tentojnë të hapin tender që të përfitojnë në kurriz të ndërmarrjes “Pastërtia”. Punëtorët mbajnë greva me të drejtë dhe kërkesat i kanë legjitime, pagat nuk i marrin me rregull e kontributet pensionale nuk u janë paguar për më tepër se dy vjet e gjysmë”, deklaroi Osmani.

Osmani shtoi se situata erdhi për shkak të keqmenaxhimit sistematik në ndërmarrje.

“Keqpërdorimet vërtetohen në raportin financiar të ndërmarrjes. Po ashtu raporti i auditorit për ndërmarrje ka theksuar se ka mbingarkime me të punësuar dhe ka gjet shkelje të procedurave dhe kritereve për të punësuarit që janë identifikuar si familjarë të zyrtarëve me ndikim në qeverisje apo edhe të partive që ata përfaqësojnë”, shtoi Osmani.

Ai thotë se ka punëtorë në “Pastërtia” që marrin paga pa u paraqit në vendin e punës.

Punëtorët e Kompanisë Rajonale të Mbeturinave “Pastërtia” kanë hyrë në grevë këtë të hënë, më 23 tetor 2023 kurse gjatë së martës organizuan edhe protestë.

Sindikata e punëtorëve ka kërkuar pagesën e trustit pensional, sigurim shëndetësor, pagesën e rrezikshmërisë në punë dhe që deponia për hedhjen e mbeturinave të jetë në Gërlicë dhe jo jashtë Ferizajt.

Kjo sindikatë ka dorëzuar edhe kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Ferizaj me pretendimet se Kryeshefi Ekzekutiv i kompanisë dhe kryetarja e bordit janë jashtëligjshëm në ato pozite.

Sipas protestuesve, të dy janë anëtarë kryesie në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës në Ferizaj dhe kjo bie ndesh me ligjin për Ndërmarrjet Publike.

Kryeshefi i “Pastërtia”, Basri Sula për Kallxo.com gjatë së martës tha se që nga qershori kanë marrëveshje me ATK-në për pagesën e trustit pensional dhe se kjo ka filluar të realizohet, për kërkesat tjera thotë se kompania nuk i ka në dorë ato ndryshime.

Arben Halili, drejtor i Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe Emergjencave në Ferizaj për Kallxo.com thotë se ligji e detyron Komunën që t’i jap 1 ditë kohë kompanisë për të gjete zgjidhje që të mos mbetet mbeturinat pa u tërheq, në një rast tjetër ai shtoi se detyrohen të hapin garën dhe kompani publike e private mund të fitojnë tenderin për të larguar mbeturinat në Ferizaj.