Ilustrim

Ferizaj, ndalohet për tejkalim të shpejtësisë, rezulton se ishte i kërkuar, dyshohet se sulmoi policët në stacion

Një 23-vjeçar është ndaluar sot nga Policia e Trafikut Rrugor për tejkalim shpejtësie dhe pas kontrollit është kuptuar se ai nuk ka as patentë shofer.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 18 :00 në rrugën magjistrale Ferizaj -Prishtinë, në fshatin Prelez i Muhaxherëve.

Sipas njoftimit të Policisë, pas verifikimit, i dyshuari ka rezultuar se ishte në kërkim policor në bazë të urdhëresës së Gjykatës së Ferizajt për veprën penale – posedim i paautorizuar i substancave narkotike me dënim burgimi prej tetë muajve.

Pas kësaj, ai është shoqëruar në stacionin e Policisë në Ferizaj.

Policia ka njoftuar se gjatë kompletimit të dokumentacionit dhe përgatitjeve për ta dërguar në vuajtje të dënimit, F.A. ka sulmuar dy zyrtarë policorë dhe ka dëmtuar derën e një zyre të stacionit të Policisë.

“Ndaj tij me vendim të prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj është inicuar edhe një rast penal “Sulm ndaj personit zyrtar dhe dëmtim i pronës publike” dhe i njëjti është dërguar në vuajtje të dënimit për procedura tjera” – është bërë e ditur tutje në njoftimin e Policisë së Kosovës.