Ilustrim

Faturimi i rrymës në veri, Fejzullahu: Nënshkrimi i kontratave për rrymë nga qytetarët po vazhdon por ka ende që po hezitojnë

Ymer Fejzullahu, kryetar i bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) ka thënë se qytetarët në komunat në veri të Kosovës janë duke vazhduar të nënshkruajnë kontratat me ‘Elektroserverin’ për pagesën e energjisë elektrike.

Por Fejzullahu tha se një numër i konsiderueshëm i qytetarëve është duke hezituar ende që t’i nënshkruaj këto kontrata.

“Trendi nuk është te pritjet tona por ka një numër të konsumatorëve që janë duke nënshkruar kontratat. Duhet të theksohet që ‘Elektroserveri’ është duke kryer detyrimet në raport me KEDS”- tha ai.

“Një numër i madh i konsumatorëve nuk janë duke i nënshkruar këto kontrata por pritjet tona janë që deri në fund të vitit edhe ata t’i nënshkruajnë kontratat”- theksoi Fejzullahu të hënën më 01.07.2024.

Që nga fillimi i vitit 2024, ka nisur faturimi i energjisë elektrike në Zveçan, Zubin Potok, Leposaviq e Mitrovicë të Veriut nga “Elektrosever”, kompania e licencuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë.

ZRrE kishte njoftuar se nëse ndonjë konsumator nuk ka njehsor të energjisë elektrike dhe matësi i tyre nuk është funksional, atëherë konsumatori duhet të nënshkruajë kontratën për furnizim dhe pastaj KEDS duhet t’ia instalojë apo ndërrojë njehsorin elektrik. Kjo do të bëhet në mënyrë që konsumatori të ketë matje të shpenzimit të energjisë elektrike.

Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar marrëveshjen për çështjen e energjetikës më shumë se një dekadë më parë, përkatësisht në shtator të vitit 2013.

Derisa, më 21.06.2022, në Bruksel ishte arritur marrëveshja për zbatim të marrëveshjes për energjinë të arritur në vitin 2013 ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Europian.

Marrëveshja e arritur në vitin 2013 në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, e kishte paraparë që përveç Kompanisë për Distribuimin e Energjisë Elektrike – KEDS, në Kosovë të licencohej edhe një kompani tjetër për distribuimin e rrymës. Marrëveshja është konfirmuar në gusht të vitit 2015 nga ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Licenca i është dhënë kompanisë “Elektrosever” më 24.06.2022, pra tri ditë pas arritjes së dakordimit për kalendarin e udhërrëfyesit për zbatimin e marrëveshjes për energjinë, me 9 pika, mes kryenegociatorëve të Serbisë dhe Kosovës në Bruksel më 21.06.2022.

Më shumë se një vit më pas, më 23.12.2023, Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) dhe kompania “Elektrosever” kanë nënshkruar kontratën për normalizimin e shpërndarjes dhe të furnizimit me energji elektrike në katër komunat në veri të Kosovës.