Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Pesë misione diplomatike dhe konsullore nuk dihet sa kanë shpenzuar për vetura zyrtare në vitin 2023

Gjatë vitit 2023 nuk dihet se sa para janë shpenzuar nga arka e shtetit për vetura zyrtare të pesë Misioneve Diplomatike dhe Konsullore (MDK) të Kosovës nëpër shtete të ndryshme të botës. Kjo për faktin se të dhënat mbi këto shpenzime nuk janë raportuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Një gjetje e tillë nga Zyra Kombëtare e Auditimit është cilësuar si “Mangësi në raportimin lidhur me përdorimin e automjeteve zyrtare nga MDK-të”.

Sipas vlerësimit të ZKA-së, mosraportimi mujor për automjetet mund të ndikojë që automjetet zyrtare të mos përdoren për qëllime të duhura.

Arsyetimi i Ministrisë së Punë të Jashtme dhe Diasporës është se mosraportimi sipas kërkesave ligjore për shpenzime të transportit kishte rrjedhur si rezultat i mungesës së stafit në këto misione diplomatike dhe kontrollit lidhur me raportimin nga ana e MDK-ve.

Ndryshe nga këto pesë misione diplomatike dhe konsullore, në raportin e ZKA-së, sipas informatave të pranuara nga Divizioni i transportit/logjistikës, shkruan se 18 MDK për vitin 2023 kanë raportuar në baza të rregullta mujore dhe 24 kanë raportuar në periudha të ndryshme gjatë vitit.

Udhëzimi Administrativ 04/12 për përdorim të automjeteve zyrtare për MDK, neni 12.2 përcakton se: zyrtari përgjegjës për automjetet, i caktuar nga shefi i misionit diplomatik apo konsullor harton raportin me shifra për shpenzimet mujore, të plotësuar për të gjitha automjetet e Misionit, duke përfshirë raportin për secilin automjet dhe i njëjti i raporton Divizionit të Transportit/Logjistikes në ministrinë përkatëse.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka rekomanduar që ministrja e Jashtme Donika Gërvalla- Schwarz edhe më tej duhet të siguroj përmes shefave të MDK-ve që mbajtja e evidencave të bëhet për secilin automjet zyrtar dhe përdorimi i tyre të raportohet në mënyrë të rregullt mujore në Divizionin e Transportit/Logjistikes në MPJD.