Kosova merr udhëheqjen e Presidencës së Bordit Rregullativ të Komunitetit të Energjisë
Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) ka njoftuar se Kosova për herë të parë pas nënshkrimit të Traktatit të Athinës në vitin 2005 ka marrë udhëheqjen e Presidencës së Bordit Rregullativ të Komunitetit të Energjisë (ECRB).
Kryesuesi i ZRrE-së, Ymer Fejzullahu është emëruar president i ri i ECRB-së me mandat dy-vjeçar.
Fejzullahu në fjalën e tij tha se është ndër dhe privilegj të jetë presidenti i ri i ERCB-së.
“Është nder dhe privilegj për mua por njëkohësisht është edhe përgjegjësi jashtëzakonisht e madhe udhëheqja e ECRB-së. Shkëmbimi i njohurive dhe përvojave rregullative është theksuar si asnjëherë më parë në vitet e fundit kur të gjitha shtetet tona kanë kaluar një krizë të paprecedentë energjetike, por me përvojën që kemi ndare me njëri-tjetrin ia kemi dalur mbanë të tejkalojmë këtë krizë me pasoja minimale. Tani para nesh, ndër tjerash, kemi transpozimin e paketës së fundit të Direktivave Evropiane të Energjisë si dhe zbatimin e saj, dhe kjo do të sjellë shumë sfida, por besoj shumë se me ndihmën dhe kontributin e secilit prej nesh do t’i tejkalojmë së bashku”- ka thënë ai.
ECRB është organi i pavarur rajonal i rregullatorëve të energjisë në Komunitetin e Energjisë dhe drejtohet nga Bordi i përfaqësuesve të nivelit të lartë nga agjencitë kombëtare rregullatore të energjisë të palëve kontraktuese, vëzhguesve dhe pjesëmarrësve të Komunitetit të Energjisë.