Faton Peci: Shkarkimi i Osmanit dhunon idenë e mendimit ndryshe

Anëtari i Kryesisë së LDK-së dhe këshilltari i kryeparlamentares, Vjosa Osmani, Faton Peci, ka thënë se nisma e kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa për shkarkimin e Vjosa Osmanit nga pozitat e LDK-së, po dhunon idenë e mendimit ndryshe.

Ai po ashtu ka bërë të ditur se ka votuar kundër këtij propozimi të Mustafës.

“Edhe 2 orë, deri tek udhëkryqi i madh i LDK-së. Forca kohezive që e mbajti gjallë LDK-në si partinë e parë anti komuniste ishte presidenti Ibrahim Rugova, i cili kultivoi me devotshmëri frymën e tolerancës dhe respektimit të mendimit ndryshe.Paradoksalisht, sot ideja e presidentit Rugova po dhunohet nga ide totalitare që i trishtohen mendimit ndryshe”, ka shkruar Peci.

Sipas tij, kjo tendencë mund ta përfundojë projektin e quajtur LDK dhe kauzën, Liri, Pavarësi, Demokraci.

“Është në ndërgjegjen e secilit anëtar të LDK-së dhe secilit të përfshirë në struktura drejtuese  të vendos se çfarë do të jetë LDK-ja nesër! Një LDK, timoniere dhe bartëse e procesit të konsolidimit të shtetit, apo subjekt që përfundimisht shkëputet nga tradita politike e saj!”, ka thënë Peci.

Tutje ai tha se LDK-ja ka kuptim vetëm si prijetare e demokracisë dhe mendimit ndryshe.

“Pa këtë atribut, LDK-ja mund të mbetet vetëm e lidhur nyjë dhe në funksion të një grupi të ngushtë, të cilët çdo ditë e më tepër po përfshihen në tendencën e delëdëkizimit! Sot ka nevojë të mbrohet demokracia, të mbrohet LDK-ja dhe të mbrohet konsistenca politike! Sot duhet të mbrohet Kosova, sepse ajo është LDK-ja! Sot votoj kundër shkarkimit, sepse jam kundër diferencimit dhe në mbrojtje të frymës së Rugovës”, ka thënë ai në fund.

Sot, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka kërkuar që të shkarkohet Vjosa Osmani nga pozita e nënkryetares dhe anëtares së Kryesisë së LDK-së.

Mustafa këtë e ka kërkuar përmes një letre të cilën e ia ka drejtuar Këshillit të Përgjithshëm të partisë së tij,në të cilën ka kërkuar që Avdullah Hoti të marrë pozitën e nënkryetarit në vend të Vjosa Osmanit.

Isa Mustafa kërkon që Vjosa Osmani të shkarkohet nga pozitat në LDK, e propozon Hotin në vend të saj