I dërguari i posaçëm i SHBA për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe i dërguari i posaçëm i BE për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, Foto: Twitter

Escobar dhe Lajçak takojnë kryetarët e partive politike në Kosovë

Përfaqësuesi Special të Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe përfaqësuesi i posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, pritet që sot ta zhvillojnë një takim me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Burime të KALLXO.com brenda LDK-së kanë konfirmuar se takimi do të fillojë prej orës 10:30 dhe do të mbahet në ambasadën e ShBA-ve në Kosovë.

Para takimit me Abdixhikun, përfaqësuesit ndërkombëtar kanë takuar kreun e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqin.

Escobar dhe Lajçak dje kanë filluar vizitën e tyre dy ditore në Kosovë, ata kanë takuar presidenten Vjosa Osmani si dhe kryeministrin Albin Kurti.

Pas vizitës në Kosovë, Lajçak dhe Escobar pritet të vizitojnë edhe Serbinë.

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, nisën më 31 janar vizitën pesëditore në Kosovë dhe Serbi, në përpjekje për t’i inkurajuar liderët e dy vendeve që të vazhdojnë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve.