Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Enver Hasani: Vendosja e KFOR-it në pikat kufitare në veri ka dy pasoja

Një vendim i ri i Qeverisë së Kosovës për reciprocitet ndaj Serbisë për targa të automjeteve nxori në pah një problem të vjetër në veri të vendit. Banorët lokalë të zonës bllokuan rrugët duke vendosur barrikada afër pikave kufitare në Jarinjë e Bërnjak.

Për të ruajtur, siç argumentoi ekzekutivi kosovar, Policinë Kufitare gjatë zbatimit të masës në dy pikat kufitare në veri të vendit u dërguan forcat speciale të Policisë.

Dhjetë ditë pas situatës së krijuar, një takim mes palës kosovare dhe asaj serbe ndodhi në kryeqytetin evropian nën ndërmjetësimin e Miroslav Lajçakut, i deleguar special për dialogun Kosovë-Serbi nga Bashkimi Evropian.

Një ujdi në parim, siç deklaroi të mërkurën mbrëma përfaqësuesi i Kosovës në këtë takim, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, është që Njësia Speciale e Policisë së Kosovës të zëvendësohet me forcat e KFOR-it.

Por, sipas ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese dhe profesorit universitar, Enver Hasani, propozimi për vendosjen e KFOR-it në pikat e kufirit në veri të vendit nuk është i mirëmenduar. Sipas tij, kjo ka dy pasoja.

“Kjo nënkupton që KFOR po merr juridiksionin e autoriteteve të shtetit të Kosovës. Kjo ka dy pasoja: e para, i jep KFOR-it një mandat të sigurisë, pra jo mandat ushtarak, që u takon autoriteteve policore kosovare; dhe, e dyta, shtyen formimin e Ushtrisë së Kosovës sepse me këtë Kosova po tregon që nuk ka kapacitete për të ndërtuar struktura ushtarake neutrale dhe të besueshme sipas standardeve të NATO-s”, tha Hasani në një përgjigje për KALLXO.com.

Sipas Hasanit, janë organet e shtetit që duhet të kujdesen për sigurinë në Kosovë. Ndërsa, sipas tij, KFOR është këtu si  “respondent i fundit në rast të çrregullimeve radikale shoqërore që rrezikojnë paqen dhe sigurinë rajonale dhe më gjërë”.

“KFOR në Kosovë vepron sipas kërkesës shprehimore të autoriteteve të Kosovës. Kjo siç po ndodh tani nuk ka fare të bëjë me këtë mandat të KFOR-it, por me rikthimin e mandatit parësor të tij në një mandat që u takon organeve të sigurisë së Kosovës”, vlerësoi Enver Hasani derisa komentoi zhvillimet e fundit në veri të vendit.

Në një deklarim në Facebook, numri dy i Qeverisë së Kosovës, Besnik Bislimi, tha se të shtunën pritet që KFOR të zëvendësojë forcat speciale të Policisë së Kosovës në veri të vendit.

“Të shtunën me datën 2 tetor, forcat e KFOR do të vendosen në vendkalimet kufitare Jarinjë dhe Bërnjak dhe disa orë pas vendosjes së tyre, do të fillohet me largimin e barrikadave dhe njëkohësisht edhe me zhvendosjen e njësisë speciale të policisë së Kosovës. Njësitë e KFOR do të qëndrojnë në vendkalimet kufitare afërsisht dy javë dhe mund të largohen nga vendkalimet pastaj në rast të qetësimit komplet të situates”, tha ai.

Bislimi: Shpresojmë që delegacioni i Serbisë do të bindet për tekstin e marrëveshjes pa asnjë ndryshim

www.kallxo.com