Miroslav Lajçak dhe Besnik Bislimi, Foto: Twitter

Bislimi: Shpresojmë që delegacioni i Serbisë do të bindet për tekstin e marrëveshjes pa asnjë ndryshim

Besnik Bislimi, zëvendëskryeministër i Kosovës, ka thënë se janë tri pika për të cilat janë pajtuar në parim me shtetin e Serbisë mbi targat.

Ai ka thënë se në fund pret që pala serbe të pajtohet me pikat e diskutuara sot në Bruksel.

Sipas një postimi në Facebook, të shtunën forcat e KFOR-it priten të vendosen në pikë kalimet kufitare, Jarinjë e Bërnjak. Me këtë rast, siç ka thënë ai, do të largohen gradualisht forcat e Njësisë Speciale të Kosovës dhe barrikadat.

Ndërkohë, ai ka thënë se janë pajtuar që në targat e secilit shtet të mbulohen shenjat identifikuese të shtetësisë. Ndërsa, tha se për zgjidhjen e problemit afatgjatë, do të krijohet një grup punues.

Ky është postimi i plotë i Besnik Bislimit:

Sot përgjatë gjithë ditës, ekipi ynë dhe ai i Serbisë kishim takime bilaterale me z. Miroslav Lajçak, me synim gjetjen e një zgjidhjeje përmes së cilës do të qetësohej situata në vendkalimet kufitare Jarinjë dhe Bërnjak dhe njëkohësisht Qeveria e Republikës së Kosovës të garantojë trajtimin e barabartë të qytetarëve të të dy vendeve në sferën e lëvizjes së lirë. Natyrisht se synimi primar i Republikës së Kosovës ka qenë dhe vazhdon të mbetet promovimi i lëvizjes së lirë, andaj edhe vendimi i fundit për përdorimin e tabelave të përkohshme ka qenë i imponuar nga padrejtësia dhjetëvjeqare e autoriteteve në Serbi kundrejt qytetarëve të Kosovës që kanë udhëtuar drejt apo nëpër territorin e Serbisë.

Ne jemi treguar të gatshëm që të mbështesim përpjekjet e përfaqësuesit të BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, zotit Lajçak drejt gjetjes së një zgjidhje të pranueshme dhe pas përfarimeve të vazhdueshme kemi arritur tek një draft final me të cilin pala kosovare jemi dakorduar. Pikat kryesore të këtij drafti final janë sa vijon:

1. Të shtunën me datën 2 tetor, forcat e KFOR do të vendosen në vendkalimet kufitare Jarinjë dhe Bërnjak dhe disa orë pas vendosjes së tyre, do të fillohet me largimin e barrikadave dhe njëkohësisht edhe me zhvendosjen e njësisë speciale të policisë së Kosovës. Njësitë e KFOR do të qëndrojnë në vendkalimet kufitare afërsisht dy javë dhe mund të largohen nga vendkalimet pastaj në rast të qetësimit komplet të situatës.

2. Me datën 4 tetor, në ora 08 të mëngjesit do të filloj zbatimi i përkohshëm i sistemit të afisheve me të cilat si Kosova ashtu edhe Serbia do të mbulojnë elementet shtetërore të targave të njëra tjetrës. Rrjedhimisht nga dita e hënë parashihet që asnjë qytetarë i Kosovës dhe Serbisë nuk do ketë më nevojë të vendosë tabela të përkohshme gjatë kalimit në territorin e shtetit tjetër.

3. Do të krijohet një grup punues me objektiv gjetjen e zgjidhjes përfundimtare rreth targave, bazuar në standarded dhe praktikat e BE-së. ky grup do ketë 6 muaj kohë për të mundësuar kalimin në zgjidhjen e përhershme, me çka edhe kufizohet afati i zbatimit të sistemit me afishe.

Për momentin, kjo marrëveshje ka mbetur të pranohet edhe nga pala serbe e cila ka vërejtje në mënyrën e trajtimit të veturave me KM, për të cilat ka besuar apo kërkuar se do duhej trajtim i privilegjuar. Ne shpresojmë që delegacioni i Serbisë do të bindet për tekstin e marrëveshjes pa asnjë ndryshim të mëtejmë dhe në momentin e dakordimit, mund të themi se kwmi një marrëveshje valide.